“SPAK është kthyer në mburojë të pushtetit” – Berisha akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme: Fshehën emrat e qeveritarëve në dosjen “Aruba”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar sërish sulmet ndaj Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke e akuzuar se po vepron në mbrojtje të qeverisë dhe jo në zbatim të ligjit.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se mënyra si është trajtuar dosja e njohur si “Aruba” dëshmon, sipas tij, se SPAK është shndërruar në një institucion që mbron pushtetin politik.

Sipas kreut të demokratëve, në materialet hetimore të ardhura nga autoritetet belge dhe spanjolle përmenden emra të personave të përfshirë në takimet e zhvilluara në Aruba, ku, sipas tij, përveç trafikantëve dhe biznesmenëve, figurojnë edhe zyrtarë të qeverisë shqiptare.

Berisha pretendoi se SPAK ka bërë publikë vetëm emrat e trafikantëve dhe biznesmenëve, ndërsa ka shmangur publikimin e emrave të funksionarëve shtetërorë, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbrojtur qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

“Dosja ‘Aruba’, e ardhur nga Belgjika dhe Spanja, përmban emrat e trafikantëve, biznesmenëve dhe qeveritarëve që organizonin takimet. SPAK publikoi emrat e trafikantëve dhe biznesmenëve, por fshehu emrat e qeveritarëve vetëm për të mbrojtur qeverinë dhe Edi Ramën”, u shpreh Berisha.

Në të njëjtën dalje publike, kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe sloganet e dëgjuara gjatë protestave të fundit, ku një pjesë e protestuesve kanë brohoritur “Rama në burg, Berisha në burg”.

Ai përsëriti qëndrimin e tij se këto thirrje nuk pasqyrojnë frymën e protestës dhe i cilësoi ato si “klithma mjerane të opozitës së opozitës”, duke argumentuar se synojnë të krijojnë një barazim artificial mes qeverisë dhe opozitës.