Forcat ukrainase kanë kryer një goditje të rëndësishme ndaj infrastrukturës ushtarake ruse, duke përdorur raketat e tipit “Flamingo FP-5” për të shënjestruar një nga objektet më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në Rusi, fabrikën “Titan-Barrikada” në qytetin Volgograd.
Sipas raportimeve, impianti i goditur konsiderohet një ndër nyjet kyçe të kompleksit ushtarako-industrial rus dhe është i përfshirë në prodhimin e pajisjeve dhe komponentëve për sisteme raketore dhe artilerie të rënda. Ndër objektivat e tij përfshihen edhe elementë të përdorur në sistemet e avancuara të armatimit rus.
Autoritetet ukrainase e justifikojnë sulmin si pjesë të strategjisë së tyre për të dobësuar kapacitetet ushtarake të Rusisë, duke synuar infrastrukturën që mbështet drejtpërdrejt luftën në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar më herët se çdo objekt që shërben për agresionin rus ndaj Ukrainës konsiderohet objektiv legjitim në kuadër të operacioneve ushtarake.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka reaguar duke e cilësuar këtë si një nga sulmet më të mëdha të kryera deri tani nga Ukraina, duke pretenduar se goditjet janë shtrirë në disa rajone të vendit.
Fabrika “Titan-Barrikada” ka një histori të gjatë në industrinë ushtarake, që nga periudha sovjetike, kur prodhonte sisteme artilerie dhe pajisje të rënda ushtarake. Me kalimin e viteve, ajo është specializuar gjithnjë e më shumë në teknologjitë raketore dhe komponentët për sisteme strategjike të ushtrisë ruse.
Sipas të dhënave të publikuara, objekti luan një rol të rëndësishëm në zinxhirin e prodhimit të pajisjeve ushtarake që lidhen me sistemet raketore të Rusisë, duke e bërë atë një nga pikat më të ndjeshme të industrisë së saj të mbrojtjes.
Sulmi vjen në një moment kur lufta mes dy vendeve vijon të përshkallëzohet, me të dyja palët që intensifikojnë goditjet ndaj infrastrukturës strategjike të njëra-tjetrës.









