Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një vizitë në Berlin, ku ka marrë pjesë në një aktivitet jubilar të organizuar nga Qarku Parlamentar i Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) pranë grupit CDU/CSU në Bundestagun gjerman, si dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me deputetë dhe përfaqësues të lartë të politikës gjermane.
Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, Berisha bëri të ditur se gjatë këtyre takimeve ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që, sipas tij, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare marrin nga forca politike gjermane, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit me CDU-në.
Ai gjithashtu ka paraqitur para bashkëbiseduesve gjendjen politike në Shqipëri, të cilën e ka cilësuar si një “krizë të thellë”, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për keqqeverisje dhe për një situatë të vështirë institucionale në vend.
Sipas Berishës, në diskutime është folur edhe për protestat e të rinjve shqiptarë, si dhe për qëndrimin e qeverisë ndaj kërkesave të tyre, të cilin ai e ka cilësuar si “cinik” dhe të papërgjegjshëm.
Vizita e kreut të opozitës në Berlin vjen në një moment tensionesh politike në vend, ndërsa opozita vijon të intensifikojë kontaktet ndërkombëtare për të denoncuar situatën politike në Shqipëri.









