Trump rindez “luftën tregtare” me Europën – Kërcënon BE me tarifa deri në 100%

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar vendosjen e tarifave doganore deri në 100% për mallrat që vijnë nga vendet evropiane, nëse këto të fundit vijojnë të aplikojnë taksa mbi shërbimet dixhitale të kompanive amerikane.

Deklarata e fortë u publikua nga Trump në rrjetin e tij social “Truth Social”, ku ai theksoi se çdo shtet që vendos të taksojë gjigantët amerikanë të teknologjisë do të përballet me masa të ashpra tregtare nga Uashingtoni.

Sipas tij, taksat e njohura si “Digital Services Tax” janë të padrejta dhe diskriminuese ndaj kompanive amerikane, ndaj SHBA do të përgjigjet me të njëjtën monedhë përmes tarifave të larta ndaj eksporteve evropiane.

“Çdo vend që vendos një taksë të tillë do të përballet menjëherë me tarifa 100% për mallrat e tij që hyjnë në SHBA”, deklaroi Trump, duke shtuar se këto masa do të zëvendësojnë marrëveshjet ekzistuese tregtare me këto shtete.

Nga Brukseli ka ardhur reagim i menjëhershëm. Komisioni Evropian ka theksuar se vendet anëtare të BE-së kanë të drejtë sovrane të përcaktojnë politikat e tyre fiskale dhe rregullatore brenda territorit të tyre.

Sipas zyrtarëve evropianë, çdo masë e njëanshme nga SHBA do të konsiderohet e pajustifikuar dhe do të marrë përgjigje të menjëhershme për të mbrojtur interesat e Unionit dhe autonominë e tij ekonomike.

Brukseli ka argumentuar gjithashtu se taksat mbi shërbimet dixhitale nuk janë diskriminuese, pasi aplikohen në mënyrë të barabartë për të gjitha kompanitë e mëdha që operojnë në tregjet përkatëse, pavarësisht origjinës së tyre.

Aktualisht, disa vende të BE-së si Franca, Italia, Spanja, Austria, Danimarka, Hungaria, Polonia dhe Portugalia kanë vendosur tashmë forma të ndryshme të kësaj takse, ndërsa shtete të tjera po shqyrtojnë zbatimin e saj në të ardhmen.

Në këtë klimë tensioni, përplasja SHBA–BE pritet të ndikojë edhe në marrëdhëniet tregtare globale, ndërsa debati për taksimin e kompanive të mëdha teknologjike amerikane po bëhet gjithnjë e më i ashpër në arenën ndërkombëtare.