Një valë ekstreme e të nxehtit ka përfshirë Italinë dhe pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, duke ngritur alarmin në autoritetet shëndetësore, teksa temperaturat në disa zona pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë fundjavës.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet, spitalet në qytetet kryesore evropiane po përballen me një rritje të ndjeshme të rasteve emergjente të lidhura me temperaturat e larta. Vizitat në urgjencë janë shtuar me rreth 10 deri në 15 për qind, ndërsa qindra persona dyshohet se kanë humbur jetën nga pasojat e vapës ekstreme që prej fillimit të javës.
Një nga ngjarjet më tragjike është regjistruar në qytetin francez të Marsejës, ku një foshnjë 18-muajshe humbi jetën pasi u gjet e lënë brenda një automjeti të ekspozuar në temperatura shumë të larta. Fëmija u transportua me urgjencë në Spitalin Universitar të Marsejës, por mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërsa rasti ka rikthyer shqetësimin për rrezikun që paraqesin temperaturat ekstreme, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
Ndërkohë, Franca, Spanja, Belgjika dhe Mbretëria e Bashkuar po përjetojnë temperatura rekord, të cilat në shumë qytete kanë tejkaluar nivelet historike të stresit termik. Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, duke rritur rrezikun për shëndetin publik.
Në disa rajone franceze janë vendosur masa të jashtëzakonshme, përfshirë kufizime të përkohshme të aktiviteteve dhe paralajmërime të posaçme për qytetarët. Autoritetet në mbarë Evropën u bëjnë thirrje banorëve të shmangin daljet gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve shëndetësore për t’u mbrojtur nga temperaturat ekstreme.









