Një dokument hetimor i Europol ka zbuluar detaje të reja mbi aktivitetin e kartelit të njohur ekuadorian “Los Lobos”, duke nxjerrë në pah një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës me shtrirje në Evropë, ku përfshihen edhe struktura kriminale shqiptare.
Sipas raportit, karteli ka ndërtuar një sistem të sofistikuar transporti droge, duke përdorur kompani eksporti frutash si mbulesë për dërgesat e kokainës. Lënda narkotike fshihej në kontejnerë me ngarkesa të ligjshme dhe transportohej drejt disa prej porteve kryesore të Bashkimit Evropian.
Hetimet e autoriteteve evropiane tregojnë se sinjalizimet për kontejnerë të dyshimtë kanë çuar në operacione të koordinuara policore dhe sekuestrime të mëdha droge në disa vende. Në këtë rrjet, sipas Europol, është identifikuar edhe një bashkëpunim i strukturuar me një grup kriminal shqiptar.
Dokumenti thekson se anëtarë të këtij rrjeti kanë udhëtuar në mënyrë të përsëritur drejt Ekuadorit për të negociuar marrëveshje trafiku, ndërsa degët e tyre në disa shtete të BE-së kanë menaxhuar logjistikën dhe shpërndarjen e kokainës në tregun europian.
Sipas Europol, kjo skemë përfaqëson një model të sofistikuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku kompani të ligjshme eksporti përdoren si fasadë për të maskuar aktivitetin kriminal dhe për të depërtuar më lehtë në tregjet europiane të narkotikëve.










