Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën pranë kryeqytetit Karakas ka shkuar në 235 të vdekur, ndërsa më shumë se 4.300 persona kanë mbetur të plagosur. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet mes rrënojave për të gjetur të mbijetuar.
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e prekura, ndërsa presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, bëri të ditur se rreth 250 ndërtesa janë dëmtuar rëndë ose janë shembur, kryesisht në qytetin bregdetar La Guaira.
Në Karakas dhe zonat përreth, ekipet e emergjencës vijojnë të dëgjojnë thirrje për ndihmë nga persona të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Ndërkohë, mijëra banorë kanë mbetur pa strehë dhe po e kalojnë natën në ambiente të hapura, nga frika e shembjes së godinave të dëmtuara.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti i parë kishte magnitudë 7.2, ndërsa vetëm pak sekonda më vonë u pasua nga një tjetër me magnitudë 7.5. Të dyja lëkundjet ndodhën në një thellësi të vogël, faktor që rriti ndjeshëm fuqinë e tyre shkatërruese.
Pas tërmeteve janë regjistruar mbi 30 pasgoditje, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti sizmik mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit dhe duke rritur rrezikun për banorët.
Ndërkohë, ndihma ndërkombëtare ka nisur të mbërrijë në Venezuelë. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh dhe kanë dërguar anije, avionë dhe ekipe të specializuara të kërkim-shpëtimit. Mbështetje për autoritetet venezueliane kanë ofruar gjithashtu Republika Dominikane, Meksika, El Salvadori dhe Katari.









