Përshkallëzohet protesta/ Protestuesit e kalojnë natën me batanije përpara Kryeministrisë: “Do të qëndrojmë deri në largimin e Ramës”

Një grup protestuesish kanë vijuar edhe gjatë natës qëndrimin përpara godinës së Kryeministrisë, duke hyrë në ditën e 27-të të protestës së tyre. Rreth tetë pjesëmarrës kanë zgjedhur të mos largohen nga bulevardi, duke e kaluar natën të mbuluar me batanije dhe të ulur në karrige metalike pranë pemëve, në afërsi të selisë së qeverisë.

Sipas organizatorëve, ky është një veprim simbolik që synon të tregojë vendosmërinë e protestuesve për të mos u tërhequr deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ata kanë qëndruar në të njëjtin vend si në netët e mëparshme, pa penguar qarkullimin e automjeteve.

Qëndrimi gjatë natës është kthyer tashmë në pjesë të përditshme të protestës. Edhe pas përfundimit të tubimeve dhe fjalimeve të mbrëmjes, një pjesë e protestuesve refuzojnë të largohen nga zona përpara Kryeministrisë, duke deklaruar se do të vazhdojnë rezistencën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestës së fundit u përsëritën edhe kërkesat e grupit organizator, të artikuluara fillimisht nga Dritan Goxhaj. Mes tyre janë dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese, reformimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë tubimet dhe qëndrimin përpara Kryeministrisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Në protestën e fundit u dëgjuan gjithashtu thirrje kundër Bajram Begaj, emri i të cilit u brohorit për herë të parë nga pjesëmarrësit.