Pse u goditën Venezuela, Japonia dhe Kalifornia brenda pak orësh? Ekspertët shpjegojnë misterin e tërmeteve

Katër tërmete të fuqishme që goditën Venezuelën, Japoninë dhe Kaliforninë brenda më pak se tetë orësh kanë nxitur spekulime në rrjetet sociale se mund të kenë qenë të lidhura mes tyre. Megjithatë, sizmologët theksojnë se bëhet fjalë vetëm për një përkim në kohë dhe jo për një fenomen të lidhur gjeologjikisht.

Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi fillimisht veriun e Kalifornisë. Pak orë më vonë, Japonia u trondit nga një tërmet me magnitudë 7.2, ndërsa Venezuela u godit nga dy lëkundje të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5, të cilat shkaktuan qindra viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Sipas William Barnhart, e vetmja gjë e përbashkët mes këtyre tërmeteve është se ato ndodhën përgjatë kufijve të pllakave tektonike, zona të njohura për aktivitet të lartë sizmik.

“Tërmetet ndodhin çdo ditë në mbarë botën. Ajo që e bëri këtë rast të pazakontë ishte fakti se disa lëkundje shumë të forta ndodhën në të njëjtën ditë dhe në zona të banuara”, u shpreh Barnhart.

Nga ana tjetër, Martin Hudson shpjegoi se nuk ka prova shkencore që tërmete të ndodhura mijëra kilometra larg njëri-tjetrit mund të shkaktojnë njëri-tjetrin.

Sipas tij, analiza e tërmeteve të një shekulli tregon se ngjarje të tilla, të ndara nga distanca kaq të mëdha, nuk kanë qenë ndonjëherë të lidhura. Megjithatë, ai theksoi se dy tërmetet në Venezuelë ka shumë gjasa të kenë lidhje mes tyre, pasi lëkundja e parë mund të ketë aktivizuar një çarje tjetër tektonike shumë pranë saj.

Ekspertët kujtojnë se çdo vit regjistrohen dhjetëra tërmete me magnitudë mbi 7 në mbarë botën dhe se përkimi në kohë i disa prej tyre është i rrallë, por jo i pazakontë nga pikëpamja shkencore.

Ndërkohë, autoritetet në Venezuelë vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve shkatërruese, ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rritet.