“Europa duhet t’ju dëgjojë”, eurodeputetja Cristina Guarda në krah të protestuesve: Do të jem me ju në Tiranë

Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka shprehur mbështetjen e saj për protestat qytetare në Shqipëri, duke njoftuar se së shpejti do të udhëtojë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestuesve në shesh.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Guarda vlerësoi karakterin paqësor të protestave, duke theksuar se qytetarët shqiptarë po japin një shembull që, sipas saj, duhet të dëgjohet edhe nga institucionet europiane.

“Europa duhet t’ju dëgjojë. Me protestat tuaja paqësore po na mësoni shumë dhe unë do të jem me ju në shesh”, u shpreh eurodeputetja.

Ajo iu referua edhe çështjeve që lidhen me projektet turistike dhe mbrojtjen e mjedisit, duke deklaruar se Bashkimi Europian i kërkon qeverisë shqiptare të respektojë standardet europiane përpara miratimit të investimeve të mëdha.

Sipas Guardës, nuk mund të autorizohen resorte luksoze pa kryer më parë vlerësimet e ndikimit në mjedis dhe pa respektuar legjislacionin që garanton mbrojtjen e natyrës sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Deklarata e eurodeputetes vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej disa javësh dhe janë përqendruar, ndër të tjera, edhe te kundërshtimi i projekteve të zhvillimit turistik dhe ligjeve që lidhen me investimet strategjike.

Postimi i Cristina Guarda:

Pas pak ditësh do të jem ne Shqipëri, në shesh me ju. Falë dhe amendamentit të propozuar nga ne “Të Gjelbërit”, Evropa i thotë Edi Ramës që nuk mundet të autorizojë Rezort extra lluks pa vlerësime ambientale dhe ligje të cilat respektojnë standartet Evropiane. Me delegacionin e “Të gjelbërve” të parlamentit Evropian do të vijmë për të takuar “Shoqërinë Civile”, “OJQ” dhe “Qytetarët” tashmë ne ditën e 24 të protestës, jo të dhunshme, më te cilën po na mësoni shumë edhe neve. Është një mobilizim i pa precedentë i cili kërkon më shumë demokraci, transparencë dhe të drrejta. Dua të jem aty me ju. Evropa duhet t’ju dëgjoje. SHIHEMI NË SHESH.