Shtetet e Bashkuara kanë nisur mobilizimin e forcave ushtarake për të mbështetur Venezuelën pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin, ndërsa bilanci i viktimave vijon të rëndohet.
Komanda Jugore e SHBA-së, përgjegjëse për operacionet ushtarake amerikane në Amerikën Latine dhe Karaibe, ka publikuar pamje që tregojnë trupat duke ngarkuar pajisje dhe furnizime në një helikopter transportues CH-47 Chinook në Bazën Ajrore Soto Cano, në Honduras. Misioni synon të mbështesë operacionet humanitare dhe të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga katastrofa.
Ndërkohë, autoritetet venezueliane raportojnë se numri i viktimave është rritur në 235, ndërsa të paktën 4.300 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën veriun e vendit.
Ministri i Shëndetësisë i Venezuelës, Carlos Alvarado, deklaroi se spitalet po përballen me një situatë dramatike.
“Fatkeqësisht kemi pranuar rreth 235 persona që kanë mbërritur pa shenja jete ose kanë ndërruar jetë sapo kanë mbërritur në qendrat tona shëndetësore”, u shpreh ai.
Për të koordinuar ndihmën amerikane, në Karakas ka mbërritur gjeneralmajori i Marinës së SHBA-së, Kevin J. Jarrard, i cili do të drejtojë operacionet e mbështetjes ushtarake dhe humanitare në bashkëpunim me autoritetet vendase.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqen të nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat. Autoritetet druhen se bilanci i viktimave mund të rritet edhe më tej, pasi shumë persona rezultojnë ende të zhdukur.









