Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore do të zhvillohen takime me partitë politike për të arritur një konsensus lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Haxhiu theksoi se prioritet mbetet përfundimi i procesit të certifikimit dhe më pas nisja e konsultimeve politike, me synimin që presidenti i ardhshëm të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës me mandat pesëvjeçar.
“Pas certifikimit të rezultateve natyrisht që do të ketë takime me partitë politike dhe shpresojmë të arrijmë një konsensus, në mënyrë që Kuvendi të zgjedhë presidentin me mandat pesëvjeçar dhe institucionet të vazhdojnë punën e tyre,” u shpreh ajo.
Duke folur për hapat e mëtejshëm institucionalë, Haxhiu nënvizoi rëndësinë e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, duke shtuar se më pas do të ndiqen procedurat kushtetuese për mandatimin e kandidatit për kryeministër.
E pyetur nëse mund të jetë një emër në garën për presidente, Haxhiu e përjashtoi kategorikisht këtë mundësi.
“Jo, nuk do të jem kandidate për presidente”, deklaroi ajo.









