“Mos jep dorëheqjen!” – Rama publikon mesazhin e emigrantit vlonjat: Kundërshtarët po manipulojnë qytetarët

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga një emigrant vlonjat që jeton në Itali, i cili shpreh mbështetje për qeverinë dhe projektet zhvillimore në jug të vendit, ndërsa i kërkon kreut të qeverisë të mos marrë në konsideratë dorëheqjen.

Në mesazhin e bërë publik, qytetari vlerëson punën e qeverisë dhe të Partisë Socialiste gjatë viteve të fundit, duke argumentuar se zhvillimet infrastrukturore dhe investimet e mëdha kanë krijuar shpresë për shumë emigrantë shqiptarë që të rikthehen dhe të ndërtojnë jetën e tyre në atdhe.

Ai shprehet se projektet e reja në zonën e Vlorës, përfshirë aeroportin dhe investimet turistike, janë pritur pozitivisht nga një pjesë e banorëve vendas dhe se ato përfaqësojnë mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit.

Në të njëjtën kohë, emigranti komenton edhe protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë kundër investimeve në Zvërnec, duke pretenduar se shumica e qytetarëve që mbështesin qeverinë nuk janë të pranishëm në rrjetet sociale apo në protesta, pasi janë të angazhuar me punën dhe jetën e përditshme.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit lidhet me mënyrën e komunikimit politik. Sipas tij, qeveria duhet të ndryshojë strategjinë e komunikimit me qytetarët, pasi kundërshtarët politikë po përdorin slogane dhe mesazhe të thjeshta që, sipas tij, ndikojnë lehtësisht në opinionin publik.

“Duhet të ndryshoni metodën e komunikimit, sidomos përballë kundërshtarëve që përdorin fraza klishe për të fituar mbështetje dhe për të ndikuar te qytetarët”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.

Publikimi i këtij mesazhi vjen në një moment kur protestat kundër projekteve në Zvërnec dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit vijojnë të dominojnë debatin politik në vend.