Raphinha: Do të bëj gjithçka për t’u rikthyer, dua të ndihmoj Brazilin të arrijë objektivat

Fitorja e Brazilit ndaj Haitit solli entuziazëm dhe optimizëm në kampin e “Seleçaos”, por njëkohësisht edhe shqetësim. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti tregoi shenja të qarta përmirësimi, duke rikthyer lojën e saj karakteristike dhe duke fituar besimin e tifozëve. Megjithatë, dëmtimi i Raphinhës gjatë ndeshjes la një shije të hidhur.

Sulmuesi i Barcelonës, një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit brazilian, u detyrua të largohej nga fusha, duke ngritur pikëpyetje për gjendjen e tij fizike. Edhe pse raportet e para janë optimiste dhe dëmtimi nuk pritet ta mbajë larg për një kohë të gjatë, stafi mjekësor i Brazilit po tregohet i kujdesshëm me procesin e rikuperimit.

Objektivi është që Raphinha të jetë gati për fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, nëse rikuperimi shkon sipas planit.

Pas disa ditësh heshtjeje, futbollisti brazilian reagoi përmes rrjeteve sociale, duke ndarë emocionet dhe vendosmërinë e tij për t’u rikthyer sa më shpejt.

“Zgjodha një foto që ka një domethënie të veçantë për mua, sepse më kujton se ku nisi gjithçka. Djali që ëndërronte të vishte fanellën e Brazilit është ende këtu, me të njëjtat ëndrra dhe të njëjtën dëshirë për të përfaqësuar vendin e tij”, shkroi ai.

Rafinha theksoi se do të vazhdojë të punojë fort për t’u rikuperuar dhe për të ndihmuar skuadrën në objektivat e saj.

“Unë e dua futbollin dhe e dua atë që bëj. Të vesh fanellën e kombëtares braziliane është një privilegj. Ata që më njohin e dinë sa kërkues jam ndaj vetes dhe sa shumë punoj çdo ditë për t’u përmirësuar. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Do të bëj gjithçka që kam në dorë për t’u rikthyer sa më shpejt. Dua të jem pranë shokëve të skuadrës, të luftoj për objektivat tona dhe të sjell gëzim për tifozët brazilianë”, deklaroi ai.

Mesazhi i tij u prit me entuziazëm nga tifozët brazilianë, të cilët e konsiderojnë Raphinhën një nga figurat më të dashura të ekipit kombëtar, përkrah emrave si Vinicius Junior dhe Neymar.