Rama mbledh drejtuesit e qarqeve – Mesazhe për protestat dhe qytetarët

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një takim me drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste, në një mbledhje që zgjati më shumë se një orë dhe u fokusua te situata politike në vend, komunikimi me qytetarët dhe protestat që po zhvillohen në Tiranë.

Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se kreu i qeverisë u ka kërkuar ministrave dhe drejtuesve politikë të jenë më pranë qytetarëve, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të angazhohen për zgjidhjen e problemeve që hasen në komunitete të ndryshme.

Gjatë diskutimeve, Rama është ndalur edhe te protestat e ditëve të fundit, duke i cilësuar ato si pjesë e një “lufte digjitale”, një fenomen që sipas tij po ndikon gjithnjë e më shumë në debatin publik dhe perceptimin e qytetarëve.

Pas përfundimit të mbledhjes në selinë rozë, kryeministri u pa duke dalë i shoqëruar nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me të cilin zhvilloi një bisedë të shkurtër përpara largimit. Rama nuk dha deklarata për mediat, por u mjaftua me një përshëndetje të shkurtër për gazetarët e pranishëm.

Menjëherë pas këtij takimi, kreu i qeverisë u drejtua për në ish-hotelin “Dajti”, ku ishte planifikuar një tjetër mbledhje me kryebashkiakët e vendit. Takimi me drejtuesit vendorë vjen në vazhdën e konsultimeve të nisura nga qeveria për çështje që lidhen me administrimin lokal, investimet dhe raportet me qytetarët.

Këto mbledhje zhvillohen në një moment të ndjeshëm politik, teksa prej më shumë se tre javësh në kryeqytet vijojnë protestat e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime të thella në qeverisje.