Një incident i rëndë është regjistruar në kryeqytet gjatë protestës së 21-të të zhvilluar në Tiranë, ku një vajzë e maskuar është filmuar duke hequr flamurin e Shtetit të Izraelit nga ambientet e Ambasadës izraelite.
Pamjet e incidentit janë bërë publike dhe tregojnë momentin kur flamuri shkulet nga shtiza përpara godinës diplomatike, në një kohë kur në qytet po zhvilloheshin tubime proteste.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga autoritetet shtetërore shqiptare. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar ashpër veprimin, duke theksuar se akti nuk ka asnjë lidhje me të drejtën e protestës apo lirinë e shprehjes, por përbën një shfaqje të qartë të urrejtjes dhe intolerancës.
Në reagimin zyrtar, MEPJ thekson se përdhosja e flamurit të një shteti të huaj në territorin shqiptar është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet demokratike dhe me standardet ndërkombëtare që Shqipëria synon të respektojë.
Sipas ministrisë, veprime të tilla cenojnë gjithashtu vlerat e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, të cilat konsiderohen themel i shoqërisë shqiptare dhe i marrëdhënieve diplomatike të vendit.
Autoritetet pritet të vijojnë verifikimet lidhur me identifikimin e personit të përfshirë në incident, ndërsa ngjarja mbetet në vëmendje të institucioneve ligjzbatuese.









