Shqipëria futet në elitën e UNESCO – Merr mandat në komitetin që vendos për trashëgiminë kulturore botërore

Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për periudhën 2026–2030, një zhvillim që i jep vendit rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjet ndërkombëtare për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ky pozicion e vendos Shqipërinë jo vetëm si vëzhguese, por si aktore aktive në shqyrtimin e dosjeve dhe politikave që lidhen me ruajtjen e traditave, zakoneve dhe praktikave kulturore në mbarë botën, në kuadër të Konventës së UNESCO-s të vitit 2003.

Sipas zëvendësministres së Kulturës, Lira Pipa, ky mandat katërvjeçar rrit ndjeshëm profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe forcon bashkëpunimin me shtetet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ajo theksoi se vendi do të ketë rol aktiv në vlerësimin dhe miratimin e dosjeve të reja që paraqiten nga shtete të ndryshme.

Pipa u shpreh se Shqipëria do të angazhohet për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimin me UNESCO-n, universitetet dhe ekspertët vendas, me qëllim përfshirjen më të gjerë në proceset e vendimmarrjes kulturore ndërkombëtare.

Ky anëtarësim vjen në një periudhë kur disa elementë të trashëgimisë shqiptare, si dollia, qeleshja, Festivali i Gjirokastrës dhe ritet e pranverës së arbëreshëve, janë në fokus të promovimit dhe mbrojtjes në kuadër të listave të UNESCO-s.

Autoritetet shqiptare synojnë që deri në vitin 2030 të përgatiten dhe të paraqiten dosje të reja kandidimi, me qëllim zgjerimin e pranisë së kulturës shqiptare në listën përfaqësuese të trashëgimisë botërore.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ky mandat sjell jo vetëm prestigj ndërkombëtar, por edhe përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, veçanërisht në kushtet e sfidave si ndryshimet klimatike, transformimi digjital dhe ruajtja e diversitetit kulturor.