Ebola alarmon Afrikën/ Mbi 200 viktima – Situata në Kongon Lindore po del jashtë kontrollit

Republika Demokratike e Kongos po përballet me një valë të re alarmante të virusit Ebola, teksa numri i viktimave ka kaluar shifrën 200 dhe rastet e infektimit vazhdojnë të rriten me ritme shqetësuese. Sipas të dhënave më të fundit të Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj janë konfirmuar 875 raste me Ebola, ndërsa 202 persona kanë humbur jetën.

Vatra kryesore e epidemisë ndodhet në lindje të vendit, ku provinca e Iturit përbën afro 95 për qind të rasteve të raportuara. Përhapja e virusit është regjistruar gjithashtu në Kivu Verior dhe Kivu Jugor, duke rritur shqetësimet për një zgjerim të mëtejshëm të krizës shëndetësore.

Situata po bëhet gjithnjë e më serioze edhe për vendet fqinje. Në Ugandë janë konfirmuar 19 raste me Ebola, përfshirë dy viktima, ndërsa autoritetet kanë shtuar kapacitetet laboratorike dhe sistemet e mbikëqyrjes për të identifikuar sa më shpejt rastet e reja.

Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, paralajmëroi se nëse përhapja e virusit nuk vihet nën kontroll në kohë, ky shpërthim mund të marrë përmasa edhe më të rënda se epidemia shkatërrimtare e Afrikës Perëndimore gjatë viteve 2014-2016, e cila shkaktoi mbi 11 mijë viktima në Guine, Liberi dhe Sierra Leone.

Për të ndjekur nga afër situatën, ministri i Shëndetësisë i RD të Kongos, Roger Kamba, zhvilloi një vizitë në Bunia, kryeqytetin e provincës Ituri, ku analizoi ecurinë e masave të marra dhe strategjitë e reja për frenimin e epidemisë.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka premtuar rreth 910 milionë dollarë për të mbështetur luftën kundër Ebolës në Kongon Demokratike dhe Ugandë. Nga kjo shumë, 80 milionë dollarë do të vijnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Afrikan. Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar që fondet të disbursohen sa më shpejt, duke theksuar nevojën urgjente për ambulanca, laboratorë, qendra izolimi, pajisje mbrojtëse dhe kapacitete shtesë trajtimi.

Shkencëtarët nga Uganda dhe RD e Kongos kanë konfirmuar se lloji aktual i virusit, Ebola Bundibugyo, ka origjinë nga një transmetim i ri nga fauna e egër, duke përjashtuar mundësinë që shpërthimi të jetë lidhur me një vatër të vjetër të pazbuluar më parë. Kjo zbulon se rreziku i shfaqjes së rasteve të reja mbetet i lartë, ndërsa autoritetet vijojnë garën me kohën për të shmangur një katastrofë shëndetësore në rajon.