Qeveria ka vendosur të mbyllë Bordin e Transparencës, mekanizmin e ngritur për mbikëqyrjen e çmimeve të karburanteve gjatë periudhës së krizës në tregjet ndërkombëtare. Lajmi u bë i ditur nga ministrja Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas saj, vendimi vjen si rezultat i stabilizimit të tregut të hidrokarbureve dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Ibrahimaj theksoi se gjatë javëve të fundit është regjistruar një tendencë e qëndrueshme uljeje e çmimeve, duke bërë të panevojshëm vazhdimin e funksionimit të Bordit.
“Situata e veçantë në tregun e hidrokarbureve ka përfunduar. Për këtë arsye, sot kemi vendosur të ndërpresim aktivitetin e Bordit të Transparencës. Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të vazhdueshme në bursë gjatë dy javëve të fundit”, deklaroi ministrja.
Bordi i Transparencës u krijua nga qeveria për të monitoruar dhe përcaktuar çmimet e shitjes së karburanteve, në një kohë kur tregjet globale po përballeshin me luhatje të forta për shkak të krizave ndërkombëtare. Me vendimin e ri, tregu i karburanteve do të rikthehet plotësisht në funksionimin e tij normal, pa ndërhyrjen e këtij mekanizmi mbikëqyrës.









