“Më kanë lënduar” – Granit Xhaka shpërthen pas kritikave: Nuk do të dorëzohem kurrë

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur hapur për periudhën e vështirë që ka kaluar ditët e fundit, pas fitores bindëse 4-1 ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Kupën e Botës 2026, ndeshje në të cilën shënoi edhe golin e katërt nga pika e bardhë.
Pas suksesit të parë të helvetëve në fazën e grupeve, mesfushori me origjinë shqiptare vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe theksoi se fitorja erdhi falë punës së përbashkët të të gjithë ekipit.
“Sot pamë një Zvicër të fortë. Ishim të bashkuar si me topin ashtu edhe pa të. Fitore të tilla vijnë kur të gjithë japin maksimumin dhe luftojnë për njëri-tjetrin në çdo duel”, deklaroi Xhaka pas ndeshjes.
Ai vlerësoi gjithashtu futbollistët që u aktivizuan nga stoli, duke nënvizuar se çdo lojtar ka rëndësi në rrugëtimin e skuadrës drejt objektivave të saj.
Megjithatë, vëmendja më e madhe u përqendrua te reagimi i kapitenit lidhur me kritikat që ka marrë kohët e fundit. Xhaka pranoi se disa komente dhe artikuj të publikuar së fundmi e kanë prekur emocionalisht.
“Do të gënjeja nëse do të thosha se jam mirë. Ka gjëra që më kanë lënduar dhe që nuk i kuptoj. Janë shkruar shumë gjëra për mua dhe nuk mund të them se nuk i kam vënë re”, u shpreh ai.


Mesfushori theksoi se gjithmonë ka qenë i gatshëm të kritikojë veten para se të kritikojë të tjerët dhe se nuk ka ndërmend të ndryshojë mënyrën e tij të të qenit.
“Njerëzit e dinë kush jam. Kam dhënë gjithçka për këtë fanellë dhe jam krenar për çdo ndeshje që kam luajtur me Zvicrën. E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është që skuadra të jetë pas meje dhe unë ndiej se e kam mbështetjen e plotë të ekipit”, deklaroi ai.
Xhaka kujtoi gjithashtu kontributin e tij shumëvjeçar me kombëtaren zvicerane, duke theksuar se ka luajtur gjithmonë me përkushtim dhe krenari për ngjyrat që përfaqëson.


Në fund të prononcimit, kapiteni i helvetëve dërgoi një mesazh të qartë për kritikët dhe tifozët, duke nënvizuar se fokusi i tij mbetet vetëm suksesi i ekipit.
“Jam këtu për të fituar dhe për të ndihmuar Zvicrën të arrijë rezultate. Për aq kohë sa do të jem pjesë e kësaj skuadre, do të vazhdoj të luftoj për suksesin”, përfundoi Granit Xhaka.