Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur gjerësisht si vetingu, ka përfunduar zyrtarisht, duke shënuar mbylljen e një prej reformave më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse të procesit, kreu i Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Sokol Çomo, deklaroi se përfundimi i vetingut përfaqëson edhe fundin e një periudhe të gjatë tranzicioni për drejtësinë në Shqipëri.
Sipas tij, procesi ka qenë i vështirë dhe shpeshherë i dhimbshëm, por i domosdoshëm për të ndërtuar një sistem drejtësie më të besueshëm dhe më të fortë. Ai theksoi se përmes reformës janë krijuar kushtet që institucionet e drejtësisë të funksionojnë mbi baza më të qëndrueshme dhe më transparente.
“Ishte një përvojë e vështirë dhe e dhimbshme. Ishte një etapë jo e lehtë për vendin tonë, por e nevojshme. Ne krijuam kushtet që sistemi i drejtësisë të funksionojë mbi themele më të forta. Sot po shënohet mbyllja e kapitullit të tranzicionit. Shqipëria po futet në shinat e duhura të një demokracie funksionale”, u shpreh Çomo.
Ai nënvizoi se sfida kryesore pas përfundimit të vetingut mbetet garantimi i një drejtësie të paanshme dhe funksionale për qytetarët. Sipas kreut të KPA-së, normaliteti në sistem duhet të jetë rregulli, ndërsa rastet e përjashtimit të mbeten përjashtime të rralla.
Përfundimi i procesit të vetingut konsiderohet një moment kyç për reformën në drejtësi, e cila prej vitesh ka qenë një nga kushtet kryesore në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.









