Përplasjet brenda opozitës janë ashpërsuar edhe më tej, pasi ish-deputeti Ervin Salianji ka lëshuar akuza të forta në adresë të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e konsideruar atë si pengesën kryesore për ardhjen e opozitës në pushtet.
Në një reagim publik, Salianji deklaroi se Berisha po i largon vëmendjen opinionit nga problemet reale politike dhe se, sipas tij, është faktori që mban në këmbë qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Ai shkoi edhe më tej, duke e cilësuar kreun e PD-së si “kambalecin që e mban Ramën në pushtet”, pavarësisht pakënaqësisë së lartë qytetare ndaj qeverisë.
Një nga akuzat më të forta të Salianjit lidhet me atë që ai e quan “kulla e ortakërisë” mes Berishës dhe Ramës pranë Pallatit të Kongreseve. Ish-deputeti i kërkoi publikisht liderit demokrat të shpjegojë qëndrimin e tij lidhur me këtë projekt dhe me lejen e ndërtimit të firmosur nga kryeministri.
“Pse nuk flet për kullën e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve? Dil e fol. Dil e fol edhe si i djathtë, në një kohë kur hapësira publike është mbushur me thirrje komuniste të nxitura edhe nga ti, si komunisti më i vjetër që je”, u shpreh Salianji.
Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh të forta brenda kampit opozitar, ku debatet dhe akuzat mes figurave të ndryshme të së djathtës janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Reagimi i Salianjit
Sali nuk je më opozita por je pengesa që opozita të vijë në pushtet! Sali Berisha duhet të dëgjojë thirrjet e shoqërisë për largimin e tij dhe t’i hapë rrugë rotacionit. Ai është kambaleci që e mban Ramën në qeveri, pavarësisht se thuajse 70% e qytetarëve janë kundër tij.
Ka 7 muaj që demokratët, në takimet e mia, kanë mbushur sallat dhe sheshet duke kërkuar largimin e Berishës, por ai e ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po e mban peng për interesa personale. Shkatërroi garën dhe sot sheshin që duhet ta mbushte Partia Demokratike është plot edhe kundër Sali Berishës! Shumica jane demokratë që kërkuan që ti të largohesh!!
Protestuesit po ngrihen kundër autokratit Rama në qeveri dhe autokratit Berisha në parti. Ata duan demokraci, rregulla loje dhe meritokraci, jo parti të mbajtura peng nga individë që i vendosin interesat e tyre mbi ato të demokratëve.
Dhe meqë ke kaq merak të merresh me budallallëqe për të zhvendosur vëmendjen në ditët më të këqija të Ramës, kam një pyetje: pse nuk flet për kullën e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve? Dil e fol.
Dil e fol edhe si i djathtë, në një kohë kur hapësira publike është mbushur me thirrje komuniste të nxitur dhe nga ti si komunisti më i vjetër që je!










