Zjarr në fabrikën e produkteve higjienike në ish-Metalurgjik – zjarrfikësit në luftë me flakët

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e së martës magazinën e një fabrike në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan, duke shkaktuar alarm te punonjësit dhe banorët e zonës.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer në magazinën e kompanisë që merret me prodhimin e letrave të lagura dhe produkteve të tjera higjienike. Fabrika administrohet nga investitorë turq.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë angazhuar disa mjete dhe efektivë të Shërbimit Zjarrfikës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Në zonë ndodhen gjithashtu forca të policisë, të cilat po sigurojnë perimetrin dhe po ndihmojnë në menaxhimin e situatës.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa puna vijon për vënien nën kontroll të plotë të flakëve dhe përllogaritjen e dëmeve materiale të shkaktuara nga zjarri.