Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar sërish pas vendimit që tronditi skenën politike, duke u larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe duke shpallur veten deputete të pavarur.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku publikoi një fotografi nga një kishë, të shoqëruar me një mesazh me tone reflektuese dhe shpirtërore. Në mesazhin e saj, ajo i drejtohet Zotit me një lutje për forcë, urtësi dhe shpresë.
“Zot më jep forcë, besim të drejtë e shpresë të sigurtë. Mos na e kurse si popull frymën e urtisë dhe të kuptimësisë, që kurrë të mos largohemi drejt rrugëve të humbura”, shkroi deputetja.

Reagimi vjen vetëm një ditë pasi ajo njoftoi publikisht largimin nga Partia Socialiste, duke deklaruar se do ta vazhdojë mandatin si deputete e pavarur në Kuvend.
Në njoftimin e saj, Koçeku theksoi se vendimi lidhet me bindjet dhe parimet personale që, sipas saj, kanë qenë të pandryshuara edhe para përfshirjes në politikën partiake.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet dhe vlerat e mia janë ato që i kam pasur dhe i kam shprehur që para se të bëhesha pjesë e një partie. Ato më përcaktojnë kufijtë”, deklaroi ajo.
Më herët gjatë ditës, deputetja publikoi gjithashtu një fotografi të një flamingoje, simbol që është identifikuar me lëvizjen protestuese të ditëve të fundit, e njohur tashmë si “Revolucioni Flamingo”.
Postimet e njëpasnjëshme të Koçekut kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik, ndërsa ende nuk ka një sqarim të detajuar nga ana e saj mbi arsyet konkrete që çuan në largimin nga Partia Socialiste.









