BOTERORI 2026/ Mes tensioneve politike Irani mbërrin në SHBA – Skuadra pritet me protesta në Los Anxhelos

Kombëtarja e Iranit ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara për të nisur aventurën e saj në Kupën e Botës, vetëm pak orë përpara njoftimit për marrëveshjen e paqes mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Skuadra iraniane zbarkoi në Los Anxhelos pas një udhëtimi nga Tijuana e Meksikës, ndërsa përgatitet për ndeshjen e parë të turneut kundër Zelandës së Re, e planifikuar të zhvillohet të hënën.

Prania e Iranit në Botëror ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare për shkak të situatës gjeopolitike. Kjo është hera e parë në historinë e Kupës së Botës që një vend pritës ndodhet në konflikt me një nga kombëtaret pjesëmarrëse në turne.

Për shkak të kufizimeve dhe procedurave të veçanta të udhëtimit, kombëtarja iraniane ka vendosur bazën e saj stërvitore në Meksikë dhe do të udhëtojë drejt SHBA-së vetëm për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare.

Trajneri i ekipit, Amir Ghalenoei, deklaroi se shpreson që futbolli të shërbejë si urë lidhëse mes popujve dhe kulturave, duke theksuar se sporti duhet të mbetet larg përplasjeve politike.

Ai pranoi se skuadra është përballur me vështirësi të shumta logjistike, përfshirë vonesa në pajisjen me viza, kufizime migratore dhe procedura të shtuara sigurie, të cilat sipas tij kanë ndikuar në përgatitjet e ekipit.

Edhe sulmuesi Mehdi Taremi u shpreh se futbollistët përfaqësojnë të gjithë iranianët, pavarësisht se ku jetojnë, duke theksuar se synimi i ekipit është të sjellë gëzim dhe krenari për kombin.

Megjithatë, mbërritja e skuadrës në Los Anxhelos nuk kaloi pa incidente. Jashtë qendrës stërvitore u zhvilluan protesta kundër regjimit iranian, duke rikthyer në vëmendje tensionet politike që shoqërojnë ekipin në këtë Botëror.

Taremi deklaroi se atmosfera sportive është zbehur nga zhvillimet politike që e rrethojnë skuadrën, por nënvizoi se futbollistët nuk janë pjesë e politikës dhe ndodhen në SHBA vetëm për të luajtur futboll.