Dosja “Black Eagle”/ Zbardhen lidhjet e rrjetit të dyshuar me projekte ndërtimi dhe vila në jug të Shqipërisë

Hetimet e dosjes së koduar “Black Eagle” po zbulojnë detaje të reja që shkojnë përtej trafikut të dyshuar të kokainës dhe lëvizjeve të mëdha financiare, duke u shtrirë edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme në jug të Shqipërisë, ku përmenden projekte rezidenciale dhe parcela toke me vlerë të lartë.

Në qendër të hetimeve ndodhet shtetasi Alfredo Hamzai, ndërsa sipas dokumenteve të siguruara nga autoritetet belge dhe të administruara në dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në pajisjet e sekuestruara prej tij janë gjetur fotografi, skica dhe materiale që lidhen me një projekt të njohur si “Green Coast II”, një kompleks i planifikuar rezidencial në zonën bregdetare.

Analiza e komunikimeve të kryera përmes platformës së enkriptuar “SkyECC” ka nxjerrë në pah biseda të zhvilluara gjatë viteve 2019–2021, të cilat hetuesit i konsiderojnë të lidhura me interesa investimi në ndërtim dhe zhvillim pronash në jug të vendit.

Në këto komunikime përmendet edhe shtetasi Artur Koçeku, i identifikuar nga hetuesit me nofkën “Loku”, i cili dyshohet se ka shpërndarë materiale fotografike dhe pamje të projektit “Green Coast”, përfshirë zona ku parashikohej zgjerimi i tij me fazën e dytë të ndërtimit.

Sipas dosjes hetimore, në një tjetër linjë komunikimesh, Artur Shehu i ka dërguar Arben Ismailajt materiale vizuale dhe plane urbanistike që lidhen me të njëjtin projekt zhvillimi, ku përfshihen pamje ajrore dhe skica të zonës së planifikuar për ndërtim vilash luksoze.

Hetimet përmendin gjithashtu edhe një numër telefoni të lidhur nga autoritetet me shtetasin Adrian Rama, i cili rezulton i regjistruar në kontaktet e pajisjeve të përdorura nga Arben Ismailaj, duke shtuar elemente të reja në zinxhirin e komunikimeve të analizuara.

Në disa prej bisedave të përgjuara, të cituara në dosje, diskutohet hapur për parcela toke dhe ndryshimin e statusit të tyre për qëllime ndërtimi. Hetuesit pretendojnë se në komunikime përmendet edhe ideja e “kalimit të tokës nga zonë e gjelbër në zonë ndërtimi”, me qëllim zhvillimin e projekteve rezidenciale.

Në një tjetër fragment të përfshirë në dosje, citohet një diskutim ku thuhet se “larg tokës jemi të qetë, mund të ndërtojmë vila të mëdha”, një shprehje që sipas hetuesve lidhet me planet për investime të mundshme në pasuri të paluajtshme.

Fotografitë, skicat dhe materialet e sekuestruara janë përfshirë si prova në dosjen “Black Eagle”, duke u konsideruar nga hetuesit si tregues të interesit për investime të mëdha ndërtimore paralelisht me aktivitetet e dyshuara kriminale që po hetohen nga SPAK.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa pritet që në vijim të dalin edhe detaje të tjera mbi rrjetin e personave të përfshirë dhe lidhjet e tyre të mundshme me projekte zhvillimi në jug të vendit.