Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin turistik prej 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e Sazan, të mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, duke i cilësuar kritikat dhe protestat kundër tij si “budallallëqe ideologjike”.
Në një intervistë për median amerikane MSNOW, Rama deklaroi se negociatat për investimin kishin nisur shumë kohë përpara rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe mohoi që projekti të ketë lidhje me administratën amerikane apo interesa politike.
Sipas kreut të qeverisë, investimi pritet të sjellë zhvillim ekonomik, vende pune dhe të ardhura për Shqipërinë. Ai theksoi se në projekt janë përfshirë edhe investitorë të tjerë ndërkombëtarë dhe jo vetëm kompania e Kushnerit.
Rama kujtoi se kur nisën bisedimet me Kushnerin dhe Ivanka Trump, situata politike e Donald Trump në SHBA ishte ende e paqartë, duke shtuar se askush nuk e dinte nëse ai do të rikthehej në presidencë apo do të përballej me probleme ligjore.
Duke komentuar reagimet e mediave dhe aktivistëve amerikanë ndaj projektit, kryeministri sugjeroi se Shqipëria po përdoret si terren për përplasjet politike në SHBA.
“Mos vini në Shqipëri për të luftuar Trumpin. Kjo nuk është beteja juaj”, deklaroi Rama, ndërsa ironizoi interesimin e mediave amerikane për ndikimin e projektit në mjedis dhe ekosistemet lokale.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protestat kundër qeverisë dhe kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura vijojnë në Tiranë dhe në disa zona bregdetare të vendit.









