Medalistja olimpike Gudaf Tsegay pezullohet katër muaj për shkelje të rregullave antidoping

Atletja etiopiane Gudaf Tsegay, një prej figurave më të spikatura të atletikës botërore, është pezulluar për katër muaj pas një shkeljeje të rregullave antidoping.

Dy herë kampionia e botës dhe fituesja e medaljes olimpike pranoi praninë e një substance të ndaluar në një test të kryer jashtë garave. Analizat zbuluan një metabolit të letrozolit, substancë që figuron në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA).

Tsegay sqaroi se medikamenti i ishte përshkruar nga mjekët për trajtimin e një problemi shëndetësor dhe dorëzoi dokumentacionin përkatës për ta mbështetur këtë pretendim. Në muajin shkurt, ajo aplikoi për një Përjashtim për Përdorim Terapeutik (TUE), ndërsa “World Athletics” vlerësoi se trajtimi i saj përmbushte kriteret e nevojshme.

Megjithatë, WADA nuk pranoi të japë një përjashtim retroaktiv, çka solli një marrëveshje mes sportistes, WADA-s dhe Njësisë së Integritetit të Atletikës (AIU). Sipas AIU-së, pezullimi prej katër muajsh u konsiderua një masë e drejtë, pasi u konstatua se atletja nuk kishte përgjegjësi të konsiderueshme apo kishte vepruar me neglizhencë të rëndë.

Gudaf Tsegay numëron një karrierë të pasur me suksese, mes tyre medaljen e bronztë olimpike në garën e 5.000 metrave, si dhe titujt kampione bote në disiplinat 5.000 dhe 10.000 metra.