Cubarsi: Messi është idhulli im, por nëse përballem me të do të bëj gjithçka për ta ndalur

Në moshën vetëm 19-vjeçare, Pau Kubarsi është shndërruar në një nga emrat më premtues të futbollit spanjoll, duke fituar një rol të rëndësishëm si te Spanja ashtu edhe te Barcelona. Në një intervistë për Mundo Deportivo gjatë grumbullimit të kombëtares, mbrojtësi i ri foli për rrugëtimin e tij, objektivat për Kupën e Botës dhe admirimin e madh që ka për Lionel Messin.

Cubarsi tregoi se suksesi nuk vjen menjëherë dhe se ka kuptuar rëndësinë e punës së vazhdueshme për të fituar besimin e trajnerëve.

“Mësova se nuk mund të arrish nivelin më të lartë menjëherë. Duhet të punosh çdo ditë për të fituar besimin e trajnerit dhe stafit. Që nga ai moment, vendosa të jap maksimumin dhe të shijoj çdo mundësi që më jepet”, u shpreh ai.

Duke folur për ambiciet me kombëtaren spanjolle, Cubarsi nuk e fshehu ëndrrën e tij për të triumfuar në Kupën e Botës.

“E kam imagjinuar veten duke ngritur trofeun në Nju Jork. Duhet të kesh gjithmonë mentalitet fitues dhe ambicien për të arritur më të mirën”, tha mbrojtësi.

Në fund, ai u ndal te Lionel Messi, futbollisti që e konsideron idhullin e tij të përjetshëm. Megjithatë, Cubarsi theksoi se nëse rrugët e tyre do të kryqëzoheshin si kundërshtarë, ai nuk do të kursente asgjë për ta ndalur argjentinasin.

“Do të kisha preferuar ta kisha në skuadrën time, por nëse do të luaja kundër tij, do të bëja gjithçka për ta markuar sa më mirë. Mesi është një lojtar i veçantë; edhe kur e njeh mënyrën se si luan, është pothuajse e pamundur ta ndalosh”, përfundoi ai.