Rindizet lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA godet Iranin për natën e dytë radhazi, në jug të vendit – Trump kërcënon sërisht Teheranin..

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur ndjeshëm, pasi ushtria amerikane ndërmori një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane, për të dytën ditë radhazi. Operacioni i fundit shënon një tjetër përshkallëzim të krizës mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke shtuar frikën për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se sulmet nisën pasditen e së mërkurës, me urdhër të Presidentit amerikan Donald Trump. Sipas deklaratës zyrtare, operacioni u krye si përgjigje ndaj asaj që Uashingtoni e cilëson “agresion i vazhdueshëm dhe i paprovokuar” nga ana e Iranit.

“Forcat e Komandës Qendrore kanë ndërmarrë sulme shtesë mbrojtëse ndaj një sërë objektivash në territorin iranian, në përputhje me urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm”, thuhet në reagimin e CENTCOM.

Autoritetet amerikane nuk dhanë detaje të plota mbi objektivat e goditura, por sipas burimeve zyrtare, në shënjestër kanë qenë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë ushtarakë dhe qendra komande të përdorura për drejtimin e mjeteve ajrore pa pilot.

Ndërkohë, media shtetërore iraniane raportoi shpërthime në disa zona strategjike të jugut të vendit, përfshirë qytetin Sirik, ishullin Kish dhe zonën e Minabit, pranë brigjeve të Gjirit Persik. Këto rajone konsiderohen të rëndësishme për praninë e bazave detare dhe objekteve ushtarake iraniane.

Banorë të Teheranit raportuan gjithashtu aktivizimin e sirenave të mbrojtjes ajrore në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë bërë ende të ditur shkallën e dëmeve të shkaktuara nga sulmet.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, qëllimi i operacionit është rritja e presionit ndaj Teheranit për ta detyruar të rikthehet në tryezën e negociatave dhe të pranojë një marrëveshje të re me Uashingtonin.

Vetëm pak orë para nisjes së sulmeve, Presidenti Donald Trump paralajmëroi publikisht se Irani do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk ndryshonte kurs.

“Do t’i godasim dhe do t’i godasim shumë fort”, deklaroi Trump nga Zyra Ovale, duke argumentuar se rrëzimi i një helikopteri amerikan tip “Apache” pranë Ngushticës së Hormuzit ishte arsye e mjaftueshme për ndërmarrjen e veprimeve ushtarake.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili paralajmëroi se operacionet mund të zgjerohen më tej nëse Irani refuzon të arrijë një marrëveshje me SHBA-në.

“Presidenti Trump ka qenë i qartë. Nëse është e nevojshme, do ta godasim Iranin edhe më fort”, deklaroi Hegseth, duke shtuar se forcat amerikane janë të gatshme të godasin objektiva të tjerë strategjikë.

Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër ndaj veprimeve amerikane. Ambasadori i Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Amir Saeed Iravani, i dënoi sulmet dhe deklaroi para Këshillit të Sigurimit se kërcënimet ushtarake nuk mund të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme.

Sipas tij, zgjidhja e krizës mund të vijë vetëm përmes dialogut dhe diplomacisë, ndërsa i bëri thirrje Uashingtonit të heqë dorë nga politika e presionit dhe kërcënimeve.

Përplasja e re mes dy vendeve po ndiqet me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar, pasi ekziston frika se tensionet mund të shndërrohen në një konflikt më të gjerë rajonal, me pasoja të paparashikueshme për sigurinë dhe ekonominë globale.