Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur gjatë protestës së qytetarëve në Tiranë, ku një i ri që mbante flamurin e komunitetit LGBTQI+ u përball me kundërshtime dhe u largua mes thirrjeve të një pjese të protestuesve.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Instagram, Rama dënoi ashpër ngjarjen, duke theksuar se sjellje të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e Shqipërisë moderne dhe aspiratën e saj për të qenë pjesë e familjes evropiane.
“Kjo nuk është Shqipëria në të cilën besojmë dhe sigurisht nuk është Shqipëria që po ndërtojmë si një anëtar krenar i familjes evropiane”, shkroi kryeministri.
Rama shprehu solidaritet të plotë me të riun, duke nënvizuar se askush nuk duhet të përjashtohet, të poshtërohet apo të bëhet objekt sulmesh për shkak të bindjeve, identitetit apo dallimeve të tij.
“Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të poshtërohet, përjashtohet ose shënjestrohet sepse është ndryshe. Solidaritet i plotë me djalin e ngacmuar. Turp për ngacmuesit”, u shpreh kreu i qeverisë.
Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur incidenti ka shkaktuar debat të gjerë në rrjetet sociale, me shumë reagime që dënojnë përjashtimin e të riut nga protesta dhe kërkojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të çdo qytetari.









