Pas gjashtë muajsh pritjeje dhe konsultimesh me institucionet evropiane, qeveria shqiptare pritet të çojë për miratim në Kuvend ligjin e ri të amnistisë penale, i cili parashikon lirimin ose uljen e dënimit për mbi 1.300 persona. Seanca parlamentare për votimin e projektligjit është caktuar më 18 qershor.
Nisma u prezantua fillimisht në fund të vitit 2025 nga Ministria e Drejtësisë dhe, sipas autoriteteve, gjatë kësaj periudhe është punuar për harmonizimin e saj me standardet e Bashkimit Evropian. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Komisionin e Ligjeve se ligji nuk do të përfshijë asnjë person që hetohet ose gjykohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas parashikimeve, rreth 380 të dënuar mund të lirohen menjëherë nga vuajtja e dënimit, ndërsa afërsisht 900 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të masës së dënimit.
Ministri theksoi se amnistia është ndërtuar mbi standardet e Bashkimit Evropian, duke përjashtuar kategoritë më të rënda të veprave penale. Jashtë përfitimeve do të mbeten të dënuarit për vrasje në rrethana cilësuese, krime seksuale, korrupsion, krim të organizuar, pastrim parash, terrorizëm dhe krime zgjedhore.
Kush përfiton nga amnistia?
Projektligji parashikon:
- Pushimin e ndjekjes penale për veprat që dënohen deri në 3 vite burg.
- Ulje me 1 vit të dënimit për shumicën e të dënuarve.
- Ulje me 1.5 vite të dënimit për gratë dhe të miturit.
- Lirim të menjëhershëm për të miturit që kanë kryer veprën penale para moshës 18-vjeçare.
- Lirim të menjëhershëm për burrat mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç.
- Lirim për gratë e dënuara deri në 4 vite burg ose atyre që u kanë mbetur më pak se 4 vite për të vuajtur.
- Lirim për burrat e dënuar deri në 3 vite burg ose atyre që u kanë mbetur më pak se 3 vite për të kryer.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, një nga synimet kryesore të amnistisë është edhe ulja e mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit. Aktualisht, në sistemin penitenciar shqiptar ndodhen afro 5 mijë persona, mes të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Nëse miratohet më 18 qershor, kjo do të jetë një nga amnistitë më të gjera të viteve të fundit, me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin e burgjeve dhe administrimin e drejtësisë penale në vend.









