Gazetari italian e ndal në Vlorë – Rama me batutë: “I gjunjëzohem vetëm Giorgia Melonit”

Kryeministri Edi Rama është përballur me pyetjet e një gazetari italian në Vlorë, pas takimit që zhvilloi me banorët e zonës së Zvërnec, ku u diskutua edhe për projektin e investimit që ka ngjallur debate dhe protesta në ditët e fundit.

Teksa largohej nga takimi, gazetari e pyeti Ramën nëse Shqipëria mbetet një vend i sigurt për investime në një kohë kur në disa qytete po zhvillohen protesta kundër projektit në Zvërnec.

Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë u shpreh se protestat janë pjesë e jetës demokratike dhe nuk ndikojnë në ecurinë e vendit.

“Shqipëria është një vend demokratik. Jeta vazhdon përpara, punët vazhdojnë përpara”, deklaroi Rama.

Biseda mori më pas një ton më të lehtë, kur gazetari e pyeti nëse ai “u gjunjëzohet liderëve të huaj”. Kryeministri iu përgjigj me humor duke përmendur Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

“Jo, unë i gjunjëzohem vetëm Giorgia Melonit”, tha Rama me batutë.

Gazetari vijoi me pyetje të tjera duke përmendur Presidentin amerikan Donald Trump dhe vajzën e tij, Ivanka Trump, por Rama u përgjigj se askush nuk e kishte parë ndonjëherë të gjunjëzuar.

Shkëmbimi i shkurtër i batutave mes kryeministrit dhe gazetarit italian tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, ndërsa diskutimet për projektin në Zvërnec dhe protestat kundër tij vijojnë të mbeten në qendër të debatit publik.