Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë kërkesën e homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për një takim të drejtpërdrejtë me synimin për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë një diskutimi në Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut, Putin reagoi edhe ndaj komenteve të Zelenskyt lidhur me moshën e tij, duke deklaruar se aftësia për të drejtuar është më e rëndësishme se mosha.
“Disa liderë botërorë janë më të vjetër se unë. E rëndësishme është nëse mund ta bësh punën tënde siç duhet”, u shpreh presidenti rus.
Një ditë më parë, Zelensky i kishte drejtuar një letër të hapur Putinit, duke i kërkuar një takim për të diskutuar përfundimin e luftës përgjatë vijës aktuale të frontit. Presidenti ukrainas argumentoi se vazhdimi i konfliktit po rëndon ekonominë ruse dhe po rrit kostot ushtarake për Moskën.
Në përgjigjen e tij, Putin tha se nuk ka refuzuar kurrë mundësinë e një takimi, por theksoi se më parë duhet të krijohen kushtet dhe marrëveshjet e nevojshme për zhvillimin e negociatave.
Presidenti rus përsëriti gjithashtu qëndrimin e Kremlinit lidhur me territoret e pushtuara, duke insistuar në kërkesat e Moskës për rajonet që Rusia pretendon si pjesë të saj, pavarësisht se nuk i kontrollon plotësisht.
Nga ana tjetër, Zelensky reagoi duke akuzuar Rusinë se po zgjedh vazhdimin e luftës në vend të paqes.
“Fatkeqësisht, Rusia zgjedh sërish luftën. Ai thjesht nuk dëshiron ta përfundojë atë”, deklaroi presidenti ukrainas, duke kërkuar rritje të presionit ekonomik dhe politik ndaj Moskës.
Ndërkohë, luftimet mes dy vendeve vijojnë, me Ukrainën që po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, veçanërisht rafinerive të naftës, në përpjekje për të goditur burimet financiare që mbështesin operacionet ushtarake të Kremlinit.









