Maran e nis me humbje te Shqipëria – Debuton po njësoj si De Biazi dhe Silvinjo

Debutimi i trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, nuk rezultoi ai që pritej, pasi kuqezinjtë u mposhtën 0-1 nga Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Air Albania Stadium.

Goli i vetëm i takimit u realizua në minutën e 73-të nga Oscar Gloukh, duke i dhënë fitoren skuadrës mike dhe duke lënë trajnerin italian pa rezultat pozitiv në ndeshjen e tij të parë në stolin kuqezi.

Megjithatë, historia e Kombëtares shqiptare ofron arsye për optimizëm. Dy nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e Shqipërisë, Gianni De Biasi dhe Sylvinho, e nisën aventurën e tyre pikërisht me humbje.

De Biazi debutoi në shkurt të vitit 2012 me një disfatë 2-1 ndaj Gjeorgjisë, por më pas shkroi historinë duke e kualifikuar Shqipërinë për herë të parë në një Kampionat Europian, atë të vitit 2016.

Një histori e ngjashme ndodhi edhe me Sylvinhon. Trajneri brazilian e nisi rrugëtimin e tij në mars të vitit 2023 me humbjen 1-0 ndaj Polonisë, por më pas udhëhoqi Shqipërinë drejt kualifikimit në Europian dhe arriti ta çojë ekipin edhe në fazën “play-off” për Kupën e Botës.

Për këtë arsye, edhe pse debutimi i Maranit nuk solli rezultat pozitiv, precedentët tregojnë se një humbje në ndeshjen e parë nuk është domosdoshmërisht tregues i rrugëtimit që mund të pasojë. Tashmë vëmendja zhvendoset te sfidat zyrtare, ku trajneri italian do të kërkojë të ndërtojë identitetin dhe suksesin e tij me fanellën kuqezi.