Përplasje e fortë në CNN/ Rama mbron investimin në Zvërnec: Shqipëria po goditet nga një “luftë hibride”

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat të fortë me një gazetare të CNN gjatë një interviste kushtuar investimit të planifikuar nga Jared Kushner në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit.

Gjatë bisedës, Rama hodhi poshtë pretendimet se ekziston një projekt përfundimtar për zhvillimin e zonës, duke këmbëngulur se aktualisht nuk ka ende një plan të miratuar dhe se procesi ndodhet në fazën e studimeve dhe vlerësimeve mjedisore.

Kreu i qeverisë reagoi gjithashtu ndaj raportimeve për protestat kundër investimit, duke deklaruar se Shqipëria po përballet me një “luftë hibride”, e cila sipas tij ushqehet nga profile të rreme në rrjetet sociale dhe nga interesa konkurruese që nuk e shohin me sy të mirë zhvillimin e projekteve të mëdha në bregdetin shqiptar.

“Shqipëria është nën sulm nga armiq që i njohim shumë mirë. Është nën sulm nga konkurrenca e fortë në Mesdhe dhe nga qindra mijëra profile të rreme që nxisin këtë stuhi”, u shpreh Rama.

Në disa momente intervista u karakterizua nga replika të drejtpërdrejta mes kryeministrit dhe gazetares, teksa Rama kundërshtoi pyetjet lidhur me projektin dhe i kërkoi asaj të dëgjonte argumentet e tij përpara se të ndërhynte.

Kryeministri mohoi gjithashtu se SPAK po heton investimin e Kushnerit, duke sqaruar se procedurat hetimore lidhen me një transaksion privat të shitblerjes së tokës dhe jo me projektin turistik apo investitorët e përfshirë.

“Hetimi nuk është për investimin, nuk është për projektin, nuk është për Kushnerin dhe nuk është për Trumpin”, deklaroi ai.

Në përfundim të intervistës, Rama mbrojti idenë se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit nuk janë procese që përjashtojnë njëri-tjetrin, por mund të ecin paralelisht. Sipas tij, sfida kryesore mbetet ndërtimi i një modeli zhvillimi që respekton natyrën dhe njëkohësisht sjell investime, punësim dhe rritje ekonomike për vendin.

Debati për investimin në Zvërnec dhe Ishulli i Sazanit vazhdon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara të momentit në Shqipëri, duke përplasur mbështetësit e zhvillimit ekonomik me ata që kërkojnë garanci më të forta për mbrojtjen e mjedisit dhe transparencën e procesit.