Ivanka Trump zbulon ëndrrën shqiptare: “Zvërneci dhe Sazani janë projekti i jetës sime”

Ivanka Trump ka folur për herë të parë në mënyrë të zgjeruar për projektin turistik që po zhvillon së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke e cilësuar atë si sfidën më të madhe dhe më emocionuese të karrierës së saj.

Gjatë një interviste në podcast-in e David Sacks, Ivanka tregoi se projekti nuk shihet prej saj thjesht si një investim biznesi, por si një mundësi unike për të krijuar një destinacion turistik që respekton dhe harmonizohet me natyrën e jashtëzakonshme të zonës.

Sipas saj, arkitektura e projektit po konceptohet në mënyrë që të integrohet plotësisht me peizazhin natyror, pa cenuar biodiversitetin dhe karakteristikat unike të territorit.

“Për mua nuk është thjesht një biznes. Është kulmi i gjithë përvojës sime në fushën e pasurive të paluajtshme, i udhëtimeve dhe i vizionit tim për mënyrën se si njerëzit duan të jetojnë në të ardhmen”, është shprehur ajo.

Ivanka rrëfeu se ideja për këtë projekt lindi disa vite më parë, pasi pa nga afër vijën bregdetare të zonës gjatë një udhëtimi me jaht. Ajo e përshkroi territorin si një nga peizazhet më të bukura që ka parë ndonjëherë, duke veçuar kombinimin mes lagunës, detit dhe plazheve me rërë.

Në realizimin e projektit pritet të përfshihen disa nga emrat më të njohur të arkitekturës botërore. Sipas Ivankës, ekipi po bashkëpunon me arkitektë të nivelit më të lartë ndërkombëtar, me synimin për të krijuar një model zhvillimi që bashkon luksin modern me ruajtjen e natyrës.

Ajo theksoi se vizioni për Sazanin dhe Zvërnecin ka qenë prej kohësh pjesë e planeve të saj dhe se projekti përfaqëson një ëndërr personale që tashmë po merr formë në bregdetin shqiptar.

Deklaratat e Ivankës vijnë në një moment kur investimi në zonën e Ishullit të Sazanit dhe Zvërnecit vijon të jetë në qendër të debatit publik, mes mbështetësve që e shohin si një mundësi zhvillimi ekonomik dhe kritikëve që kërkojnë garanci më të forta për mbrojtjen e mjedisit.