Fundi i roaming me BE? – Shqipëria drejt telefonatave dhe internetit pa tarifa shtesë në Europë.

Një lajm i shumëpritur për qytetarët dhe bizneset shqiptare duket se po afrohet drejt realizimit. Bashkimi Europian ka hedhur një hap të rëndësishëm për zgjerimin e zonës pa roaming edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Sipas informacioneve të fundit, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimi Europian kanë rënë dakord për nisjen e negociatave që synojnë eliminimin e tarifave roaming mes vendeve të rajonit dhe bllokut europian.

Nëse marrëveshja finalizohet, qytetarët shqiptarë do të mund të përdorin telefonat e tyre celularë në vendet e BE-së pa paguar tarifa shtesë për telefonata, mesazhe apo internet. Kjo do të thotë se abonentët do të tarifohen sipas paketave dhe çmimeve që kanë në Shqipëri, njësoj si në vendin e origjinës.

Vendimi zyrtar për hapjen e procesit pritet të miratohet nga Këshilli i Bashkimit Europian më 4 qershor. Më pas do të nisin negociatat teknike dhe individuale me secilin vend të Ballkanit Perëndimor, si dhe diskutimet me operatorët e telefonisë për përcaktimin e kushteve të zbatimit.

Zgjerimi i skemës “Roam Like at Home” konsiderohet jo vetëm një lehtësim ekonomik për qytetarët, por edhe një hap konkret në procesin e integrimit europian të vendeve të rajonit.

Aktualisht kjo skemë zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe të Zonës Ekonomike Europiane, ndërsa më herët është zgjeruar edhe për Ukraina dhe Moldavia.

Sipas pritshmërive të zyrtarëve europianë, negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026, duke i hapur rrugën heqjes së roaming-ut mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian që nga viti i ardhshëm. Kjo do të përbënte një nga përfitimet më konkrete dhe më të prekshme për qytetarët shqiptarë në raport me procesin e afrimit me BE-në.