Ilir Meta del sërish nga qelia për ngushëllime për të atin – Takohet edhe me Sali Berishën në hotel

Ish-Presidenti i Republikës dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka lënë sërish përkohësisht qelinë, pasi ka marrë leje nga autoritetet për të pritur ngushëllime për ndarjen nga jeta të babait të tij, Rexhep Meta.

Sipas raportimeve, Meta është shoqëruar nga efektivë të policisë së burgjeve drejt një hoteli, ku janë organizuar pritjet për ngushëllime nga familjarë, miq dhe figura politike.

Gjatë kësaj vizite është raportuar edhe prania e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ka hyrë në ambientet e hotelit për t’i shprehur ngushëllimet Metës për humbjen e të atit.

Kujtojmë se edhe një ditë më parë, Meta është lejuar të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit në fshatin Çepan të Skraparit, gjithmonë nën shoqërimin e forcave të sigurisë dhe në kuadër të lejeve të posaçme të dhëna nga Drejtoria e Burgjeve.