SKANDALI NE ZVERNEC/ Tërhoqën zvarrë protestuesin dhe e dhunuan, arrestohen edhe dy persona të tjerë! Zbardhen emrat e të përfshirëve

Policia e Vlorës ka zgjeruar hetimet për incidentin e rëndë të ndodhur pak ditë më parë gjatë një tubimi në zonën e Portonovës, në Zvërnec, duke vënë në pranga edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në dhunimin e një protestuesi.

Në kuadër të veprimeve hetimore, janë arrestuar Artur Grami, 35 vjeç, dhe Gazmend Vathi, 41 vjeç, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye pas vendimit të Gjykatës së Vlorës, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve paraprake, dy të arrestuarit, së bashku me Geraldo Bibën, i cili ishte arrestuar më herët për të njëjtën ngjarje, dyshohet se kanë ndërhyrë me forcë ndaj protestuesit me inicialet E.S. Ata akuzohen se e kanë kapur dhe tërhequr me dhunë drejt një zone të rezervuar për rojet e sigurisë, duke i kufizuar lirinë e lëvizjes dhe duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë verifikimeve ka rezultuar se Artur Grami dhe Gazmend Vathi nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar pranë asnjë subjekti që ofron shërbime private të sigurisë fizike, çka ngre dyshime të tjera mbi rolin dhe praninë e tyre në vendin e ngjarjes.

Ngjarja shkaktoi reagime të shumta pasi pamjet e publikuara treguan momentet kur protestuesi u tërhoq me forcë nga disa persona gjatë zhvillimit të tubimit në Zvërnec.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë në këtë incident.