New York Times: Protesta për Zvërnecin po kthehet në simbol të pakënaqësisë ndaj qeverisë

Prestigjiozja amerikane The New York Times i ka kushtuar vëmendje protestave të zhvilluara në Shqipëri kundër projekteve të mëdha turistike në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, duke theksuar se debati ka tejkaluar tashmë shqetësimet mjedisore dhe është shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë më të gjerë politike ndaj qeverisë.

Sipas artikullit, kundërshtimet ndaj zhvillimeve të planifikuara në bregdetin shqiptar janë kthyer në një nga temat më të debatueshme në vend. Në qendër të polemikave ndodhen dy projekte turistike me vlerë të përgjithshme rreth 1.4 miliardë dollarë, të cilat parashikojnë ndërtimin e resorteve luksoze në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërneci.

Gazeta vëren se ambientalistët, aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin që këto investime mund të kenë mbi ekosistemet e mbrojtura, biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore të zonës. Gjithashtu, janë ngritur pikëpyetje mbi nivelin e transparencës në procedurat e miratimit të projekteve.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vazhdimisht investimet, duke argumentuar se ato do të sjellin zhvillim ekonomik, rritje të turizmit dhe tërheqje të kapitalit të huaj. Rama ka deklaruar se synimi është krijimi i një destinacioni turistik ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.

Artikulli ndalet edhe te akuzat e kundërshtarëve të projekteve, të cilët kanë ngritur dyshime për trajtim preferencial ndaj investitorëve, për shkak të lidhjeve familjare të Jared Kushner me Donald Trump. Këto pretendime janë mohuar nga qeveria shqiptare.

Sipas analizës së gazetës amerikane, debati rreth Zvërnecit dhe Sazanit nuk lidhet më vetëm me mbrojtjen e mjedisit. Ai po reflekton gjithnjë e më shumë tensionet politike dhe sociale në vend, duke u shndërruar në një simbol të pakënaqësive të akumuluara ndaj mënyrës së qeverisjes dhe menaxhimit të pasurive publike.