Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një aksion hetimor në kuadër të dosjes për tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit, duke urdhëruar një sërë kontrollesh në Tiranë dhe Vlorë.
Sipas burimeve pranë organit të akuzës, veprimet hetimore lidhen me dyshimet për një skemë të gjerë të përvetësimit dhe tjetërsimit të pronave në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar. Hetimet po fokusohen te dokumentacioni i pronësisë dhe personat që dyshohet se kanë luajtur rol në procesin e transferimit të këtyre pasurive.
Mes personave të përfshirë në kontrollet e SPAK përmendet edhe Pëllumb Petriti, i identifikuar si ish-avokat, i cili sipas burimeve hetimore dyshohet se ka falsifikuar dokumente pronësie në favor të Artur Shehut.
Në qendër të hetimit ndodhet një sipërfaqe e konsiderueshme pronash në Zvërnec, zonë ku është planifikuar ndërtimi i një kompleksi turistik luksoz i lidhur me investimin e Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump.
Hetimet kanë përfshirë gjithashtu edhe transaksionet e kryera ndër vite për këto prona. Në këtë kuadër është përmendur emri i Redi Strugës, inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult”, e cila rezulton të ketë përfituar prona përmes blerjeve nga subjekte dhe pronarë të ndryshëm, mes tyre edhe kompania “SERE”, pjesë e grupit Balfin.
Sipas të njëjtave burime, Struga konsiderohet një nga hallkat lidhëse mes investitorëve të huaj dhe projektit në fjalë, përmes kompanisë “Albanian Land Development”, e cila lidhet me biznesmenët nga Katari, Ramez dhe Mohammad Al-Khayyat, të përfshirë në investimin e planifikuar në zonë.
SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar mbi rezultatet e kontrolleve, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë. Në fokus mbeten ligjshmëria e dokumenteve të pronësisë dhe procedurat që kanë çuar në kalimin e pronave te subjektet e interesuara për zhvillimin e projektit turistik në Zvërnec.









