Lufta mes Izraelit dhe Iranit po shoqërohet jo vetëm me përplasje ushtarake, por edhe me një betejë të fortë informacioni dhe pretendimesh që vijnë nga të dyja palët. Së fundmi, mediat izraelite kanë publikuar një raport që ka shkaktuar reagime të shumta, duke pretenduar se presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i ka paraqitur dorëheqjen liderit suprem të vendit, Mojtaba Khamenei.
Sipas raportimit të gazetës The Jerusalem Post, informacioni bazohet në të dhëna të publikuara nga kanali opozitar iranian Iran International, i cili citon burime anonime pranë strukturave të pushtetit në Teheran.
Sipas këtyre burimeve, Pezeshkian ka shprehur pakënaqësi të thellë për ndikimin gjithnjë e më të madh të Garda Revolucionare Islamike në drejtimin e shtetit. Pretendohet se presidenti iranian ka ngritur shqetësime për faktin se strukturat ushtarake po marrin kontroll mbi një pjesë të konsiderueshme të vendimmarrjes politike dhe administrative, duke kufizuar rolin e institucioneve civile.
Raportimet sugjerojnë se përplasjet brenda elitës iraniane janë përqendruar veçanërisht te menaxhimi i luftës, si dhe te pasojat e saj ekonomike dhe sociale për vendin. Sipas burimeve të cituara, mospajtimet janë thelluar në javët e fundit, ndërsa kriza rajonale vazhdon të ushtrojë presion mbi ekonominë dhe stabilitetin e Iranit.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi media amerikane CBS News raportoi se Mojtaba Khamenei ndodhet në një vendndodhje të fshehtë dhe me komunikim të kufizuar me botën e jashtme, për arsye sigurie.
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane lidhur me dorëheqjen e pretenduar të presidentit Pezeshkian. Po ashtu, Teherani nuk ka reaguar as ndaj raportimeve për vendndodhjen e liderit suprem.
Për rrjedhojë, informacioni mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht dhe duhet parë me kujdes, në një kohë kur lufta e informacionit mes palëve është bërë po aq intensive sa edhe përplasjet në terren.









