Një deklaratë e fortë nga një përfaqësues i rëndësishëm i politikës gjermane ka tërhequr vëmendjen gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU), Peter Beyer, përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për të ardhmen e opozitës shqiptare, duke lënë të kuptohet se Partia Demokratike duhet të rinovohet në drejtim nëse synon të rikthejë besueshmërinë tek partnerët ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij përshëndetëse para delegatëve, Beyer vlerësoi rolin e Partisë Demokratike si forca kryesore opozitare në vend, duke theksuar se pritshmëritë e partnerëve europianë ndaj saj mbeten të larta.
“Ju jeni aktualisht partia opozitare më e rëndësishme dhe më me ndikim në Shqipëri. Pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja gjermane, por edhe nga Europa dhe partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të mëdha”, u shpreh ai.
Megjithatë, pjesa më e komentuar e fjalës së deputetit gjerman ishte mesazhi për nevojën e një ndryshimi në drejtimin e Partisë Demokratike. Sipas tij, nëse demokratët duan të paraqiten si një alternativë e besueshme qeverisëse dhe të fitojnë mbështetje më të gjerë ndërkombëtare, duhet të reflektojnë për një rinovim të lidershipit.
Deklarata u interpretua nga shumë pjesëmarrës si një kërkesë e hapur për largimin e Sali Berisha dhe të ekipit aktual drejtues. Beyer la të kuptohet se në radhët e Partisë Demokratike ekzistojnë figura të reja që mund të marrin përgjegjësi më të mëdha politike në të ardhmen.
Ai shtoi se ka një ide të qartë se cilët mund të jenë emrat që do të udhëhiqnin një Parti Demokratike fituese, por zgjodhi të mos përmendë askënd publikisht.
Deklarata e deputetit të CDU-së u konsiderua si një nga momentet më të forta politike të Kuvendit Kombëtar të PD-së, duke hapur menjëherë debat mbi të ardhmen e drejtimit të partisë dhe raportet e saj me aleatët europianë.
Mesazhi i Beyer vjen në një kohë kur Partia Demokratike po diskuton reforma të brendshme dhe strategjinë përballë sfidave të ardhshme politike, ndërsa çështja e rinovimit të lidershipit vijon të mbetet një nga temat më të debatueshme brenda opozitës.
“I nderuar zoti President, i nderuar Dr. Sali Berisha, delegatë, të ftuar, miq të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Emri im është Peter Beyer dhe jam anëtar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, në Berlin.
ADVERTISING
Më vjen keq që nuk mund të jem sot me ju në këtë kongres të rëndësishëm të partisë suaj, por angazhimet kohore më pengojnë të jem pranë jush fizikisht. Megjithatë, me mendje dhe me zemër jam me ju.
E vlerësoj këtë mundësi që të paktën t’ju drejtohem me disa fjalë.
Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur.
Sa i përket sfidave që ju presin përpara dhe përgjegjësisë që vjen me to, dua të them sa vijon;
Vendi juaj, Shqipëria juaj e mrekullueshme dhe e dashur, përballet me një sfidë shumë të madhe; rrugën drejt Bashkimit Europian.
Pas pak javësh, do të mbahet në Mal të Zi samiti Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor. Edhe përfaqësuesit e shtetit tuaj do të jenë të pranishëm atje, por ju duhet t’i mbani nën vëzhgim.
Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta.
Ne mbështetemi te ju dhe ju lutem merreni këtë përgjegjësi me seriozitetin maksimal.
Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni, ashtu si ne në CDU në Gjermani, te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian.
Gjithashtu, kur bëhet fjalë për Shqipërinë – ju e dini këtë shumë më mirë se unë – duhet luftuar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar dhe duhet të jeni e të ofroni një alternativë të vërtetë për Shqipërinë, një udhëheqje që me të vërtetë i hap rrugën vendit tuaj drejt një të ardhmeje të begatë dhe të ndritur.
Me këtë rast, ju uroj një kongres partiak shumë të suksesshëm.
Partia Demokratike e Shqipërisë është e dashur për zemrën time dhe ju përcjell urimet dhe përshëndetjet më të mira nga CDU-ja, Unioni Kristian Demokrat i Gjermanisë, drejt Tiranës“, tha ai.









