Moderatorja e njohur sportive shqiptare Eva Murati është vlerësuar me një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar në Itali, duke marrë “Premio Mediterraneo Europeo”, një medalje dhe vlerësim që u jepet personaliteteve me ndikim në fushën e kulturës, medias dhe sportit.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve është zhvilluar në Romë, në një atmosferë festive ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve italiane, si dhe figura të njohura të jetës publike dhe mediatike.
Gjatë aktivitetit, Murati është vlerësuar për kontributin e saj në gazetarinë sportive dhe prezantimin televiziv, duke u cilësuar si një nga figurat më të spikatura të ekranit shqiptar gjatë dekadës së fundit.
Ajo është bërë një nga moderatorët më të njohur të sportit në Shqipëri dhe më gjerë, falë profesionalizmit, stilit të prezantimit dhe pranisë së saj të qëndrueshme në evente sportive ndërkombëtare.

Ky vlerësim në Itali konsiderohet një tjetër arritje e rëndësishme në karrierën e saj, duke e pozicionuar Muratin mes figurave shqiptare që po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën mediatike europiane.
Çmimi “Premio Mediterraneo Europeo” shihet gjithashtu si një moment krenarie për median shqiptare dhe për prezencën e saj në evente ndërkombëtare të profilit të lartë.

STATUSI I EVA MURTATIT NË “INSTAGRAM”:
“Marrja e Çmimit Mesdhetar Europian ishte për mua një nder shumë i madh! Faleminderit organizatorëve, institucioneve të pranishme dhe të gjithë atyre që e bënë këtë ditë kaq të veçantë.
Me emocion mora edhe medaljen e Unionit Italian të Shtypit Sportiv, një vlerësim që do ta ruaj me shumë mirënjohje.
Kam nisur të punoj në televizion në moshën 18-vjeçare dhe gjatë dhjetë viteve të fundit kam pasur privilegjin të tregoj futbollin europian dhe të prezantoj UEFA Champions League. Për këtë arsye, marrja sot e këtyre vlerësimeve ka për mua një domethënie edhe më të thellë.
Faleminderit të gjithë atyre që kanë besuar tek unë dhe kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Faleminderit Presidencës së Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, si dhe Ministrisë së Kulturës për këtë vlerësim prestigjioz.”









