“Plotësisht i aftë për të drejtuar SHBA” – Mjekët “vulosin” gjendjen e Trumpit: Presidenti 79-vjeçar në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore

Presidenti i SHBA, Donald Trump, gëzon një gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe mbetet plotësisht i aftë për të ushtruar detyrën si kreu i Shtëpisë së Bardhë. Ky është përfundimi i raportit të fundit mjekësor vjetor, i publikuar pas një serie ekzaminimesh të detajuara të kryera në qendrën ushtarake mjekësore Walter Reed National Military Medical Center.

Raporti është firmosur nga mjeku personal i presidentit, Sean Barbabella, dhe bazohet në kontrollet e plota shëndetësore që Trump iu nënshtrua gjatë kësaj jave.

Sipas dokumentit, presidenti 79-vjeçar ka kaluar një sërë testesh të avancuara mjekësore, përfshirë skanime me tomografi të kompjuterizuar (CT), ekzaminime të specializuara kardiologjike, si dhe kontrolle parandaluese për forma të ndryshme të kancerit.

Në procesin e vlerësimit janë përfshirë 22 mjekë dhe specialistë nga fusha të ndryshme të mjekësisë, të cilët kanë analizuar gjendjen e tij fizike dhe njohëse.

Raporti thekson se funksionet mendore dhe fizike të Trumpit mbeten në nivele shumë të larta, ndërsa aftësitë e tij për të përmbushur përgjegjësitë e presidencës vlerësohen si plotësisht të paprekura.

Mjekët kanë konstatuar se presidenti amerikan vazhdon të ruajë performancë të shkëlqyer njohëse dhe fizike, duke e konsideruar të aftë për të përballuar ngarkesën e detyrës më të lartë shtetërore në SHBA.

Vetë Trump reagoi menjëherë pas përfundimit të ekzaminimeve, duke deklaruar se kontrolli mjekësor kishte shkuar “në mënyrë perfekte” dhe se ishte shumë i kënaqur me rezultatet.

Raporti evidenton gjithashtu se pesha e presidentit ka arritur në 108 kilogramë, rreth gjashtë kilogramë më shumë krahasuar me vlerësimin e mëparshëm zyrtar të kryer në vitin 2025. Për këtë arsye, ekipi mjekësor ka rekomanduar përmirësime në dietë, rritje të aktivitetit fizik dhe masa shtesë për menaxhimin e peshës trupore.

Megjithatë, specialistët nënvizojnë se ky faktor nuk ndikon në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të presidentit dhe se rezultatet e analizave mbeten shumë pozitive.

Raporti përfundon me vlerësimin se Donald Trump vazhdon të gëzojë shëndet të shkëlqyer dhe zotëron të gjitha kapacitetet fizike dhe mendore të nevojshme për të drejtuar administratën amerikane në mandatin e tij aktual