Berisha takon ish-këshilltaren e George W. Bush – Zbardhen diskutimet me përfaqësuesit amerikanë për strategjinë politike dhe komunikimin e PD

Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me Mary Catherine Andrews, ish-këshilltare e presidentit amerikan George W. Bush, në një tryezë ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike, komunikimi publik dhe sfidat e reja në arenën ndërkombëtare.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Berisha përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ai theksoi se gjatë bisedës është diskutuar nevoja për forcimin e mëtejshëm të komunikimit politik dhe përshtatjen e opozitës me realitetin e ri politik dhe diplomatik.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të International Republican Institute, organizatë amerikane e njohur për mbështetjen e proceseve demokratike dhe zhvillimin e partive politike në vende të ndryshme të botës.

Sipas Berishës, diskutimet janë përqendruar te mënyrat e përmirësimit të komunikimit me qytetarët, sfidat e opozitës shqiptare, si dhe rëndësia e adaptimit ndaj ndryshimeve të shpejta politike dhe gjeopolitike që po ndikojnë rajonin dhe më gjerë.

Takimi vjen në një moment të ndjeshëm për skenën politike shqiptare, ndërsa opozita po përpiqet të riorganizohet dhe të ndërtojë një strategji të re përballë mazhorancës socialiste.

Berisha e cilësoi bashkëbisedimin me Andrews dhe përfaqësuesit amerikanë si një shkëmbim të rëndësishëm eksperiencash mbi komunikimin modern politik dhe forcimin e lidhjeve me partnerët ndërkombëtarë.

Ky takim shihet gjithashtu si pjesë e përpjekjeve të Partia Demokratike për të konsoliduar marrëdhëniet me faktorë dhe organizata pranë kampit republikan amerikan, në një periudhë kur zhvillimet ndërkombëtare po ndikojnë drejtpërdrejt edhe debatin politik në Shqipëri.

Postimi i plotë: 

“Kënaqësi të mirëprisja znj. Mary Catherine Andrews, Këshilltare për Komunikimin Strategjik dhe Politikën e Jashtme të Presidentit amerikan George W. Bush dhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të Partisë Republikane; z. Paul Prososki, Drejtor Rajonal i Institutit Ndërkombëtar Republikan; si dhe znj. Biljana Ljubic, Nëndrejtore e Institutit Ndërkombëtar Republikan për Ballkanin Perëndimor.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), një partneritet i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve organizative dhe politike të Partisë Demokratike. Gjatë bisedës u diskutua mbi mbështetjen që Instituti Republikan po i ofron Partisë Demokratike në fusha të ndryshme, duke përfshirë organizimin e brendshëm të partisë, rritjen dhe angazhimin e anëtarësisë, komunikimin me publikun, si dhe strategjitë moderne të marketingut politik dhe të komunikimit elektoral. 

Në fokus të veçantë ishte edhe nevoja për forcimin e mëtejshëm të komunikimit politik, përshtatjen me zhvillimet e reja në arenën ndërkombëtare dhe ndërtimin e një narrative të qartë dhe të besueshme për qytetarët shqiptarë. Znj. Andrews zhvilloi gjithashtu një diskutim të hapur dhe shumë të vlefshëm me drejtues dhe deputetë të Partisë Demokratike, lidhur me strategjinë e komunikimit të PD-së në fushën e politikës së jashtme, marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe zhvillimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me fokus të veçantë mbi Administratën e Presidentit Donald Trump. Bashkëbisedimi shërbeu si një mundësi e mirë për shkëmbim eksperiencash dhe idesh mbi sfidat aktuale politike, rëndësinë e komunikimit efektiv me publikun dhe forcimin e rolit të Partisë Demokratike si një alternativë moderne, e besueshme dhe pro-perëndimore.”, shkruan Berisha.