PD ka denoncuar krijimin e kompanisë “Albanian Digital Solution” (ADS), duke e cilësuar atë si një “mega-skandal” dhe një “AKSHI të dytë” që sipas opozitës do të përdoret për punësime politike dhe kontroll mbi shërbimet digjitale.
Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se struktura e re është ngritur me 700 milionë lekë nga buxheti i shtetit dhe përfaqëson, sipas saj, një skemë për keqpërdorim të fondeve publike dhe zgjerim të administratës me emërime partiake.
Sipas PD-së, ADS ngrihet mbi “katër shtylla korruptive”, që lidhen me punësime politike, paga të larta për persona të afërt me qeverinë, dublikim të funksioneve me Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe krijim të një monopoli në shërbimet digjitale.
Opozita pretendon se kompania do të funksionojë si një strukturë paralele me AKSHI-n, duke rritur kostot për qytetarët dhe duke krijuar hapësira për abuzim me fondet publike dhe çmimet e shërbimeve elektronike.
Deklarata:
Vendimi i qeverisë Rama për krijimin e ‘Albanian Digital Solution’ (ADS) është akti radhës i një skeme të pastër korruptive për kapjen e parave publike, fryrjen e administratës me militantë dhe ngritjen e një strofke të re për hapësira vjedhjesh galopante.
Nën pretekstin e ‘transformimit digjital’, Rilindja po krijon një super-agjenci paralele me kapital fillestar prej 700 milionë lekësh nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Kjo nuk është një reformë teknologjike, por një mega-skandal i hapur qeveritar që bazohet në katër shtylla:
1.Strofka e re e patronazhistëve dhe militantëve:
Me një organikë të projektuar prej 345 punonjësish, kjo kompani duket se po ngrihet si një strukturë për të rehatuar militantët partiakë.
Ndërsa qeveria pretendon se do të thithë ekspertë, në fakt ajo ka krijuar një strukturë piramidale me 5 departamente dhe dhjetëra drejtori për të shpërndarë poste dhe favore politike.
2.Zhvatje pa tavan pagash për klientët e qeverisë:
Me paga që në tregun privat arrijnë deri në 3,000 euro neto në muaj, kjo kompani do të përdoret për të paguar rrogat e luksit të oborrtarëve të Rilindjes, duke u fshehur pas statusit të ‘biznesit privat’ që ushqehet nga buxheti i shtetit.
3.Dublim dhe fryrje e qëllimtë-AKSHI 2:
Qeveria po dublon funksione strategjike si mirëmbajtja sistemesh dhe siguri kibernetike, qëllimi duket se është mbajtja e stafeve paralele teknike, duke transferuar fondet publike nga një xhep në tjetrin dhe duke fryrë shpenzimet në kurriz të taksapaguesve.
4.Monopol dhe gjobvënie ndaj institucioneve dhe privatëve:
Qeveria i ka dhënë kësaj kompanie të drejtën të caktojë vetë çmimet dhe kostot operacionale për institucionet shtetërore, duke i detyruar ato të paguajnë. Për më tepër, liria e saj për të hyrë në tregun e lirë dhe për të krijuar shoqëri të tjera brenda dhe jashtë vendit, hap rrugën për partneritete klienteliste me oligarkinë e TIK-ut.
Ky vendim është dëshmia e një qeverie që po privatizon çdo shërbim për interesat e saj korruptive.


Me qenë se AKSHI është në varësi të tij, ne i drejtojmë sot publikisht këto pyetje Kryeministrit Edi Rama:
Pse po krijohet një AKSHI paralele? Nëse AKSHI ka funksionuar me sukses ashtu siç pretendoni në propagandën tuaj, pse po detyroheni të krijoni një strukturë tjetër paralele me 345 punonjës që dublon pothuajse 100% të funksioneve të saj?
Pse po fshiheni pas një statusi ‘privat’ për të shmangur tavanin e pagave? Pse u zgjodh formula e një shoqërie aksionare që operon si biznes privat për të kryer shërbime publike duke ju dhënë mundësinë të paguani rroga luksi për njerëzit e oborrit tuaj politik me paratë e taksapaguesve?
Cili është fati i 700 milionë lekëve të para nga Buxheti i Shtetit? Mbi çfarë analize financiare u alokua kapitali fillestar prej 700 milionë lekësh nga buxheti i shtetit për këtë kompani? Si mund t’i jepet kjo shumë e jashtëzakonshme një entiteti të ri, ndërkohë që arsimi publik, shëndetësia dhe shtresat në nevojë vuajnë nga mungesa e fondeve bazë?
Meqenëse ADS ka të drejtë të caktojë vetë çmimet e shërbimeve për institucionet shtetërore, si do të parandalohet skema ku paratë e institucioneve publike transferohen pa kontroll drejt kësaj kompanie përmes faturave të fryra artificialisht?
ADS-së gëzon lirinë për të marrë pjesë me kapital në kompani të tjera brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. A është ky një autorizim i qëllimshëm për të transferuar paratë dhe asetet e teknologjisë shqiptare drejt kompanive private, duke përdorur parajsat fiskale për të fshehur përfituesit e vërtetë?
Partia Demokratike kërkon anulimin e menjëhershëm të kësaj strukture dhe hetimin pa vonesë nga organet e drejtësisë të kësaj skeme të re të zhvatjes së buxhetit të shtetit.









