Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Kinën, ku 13 persona kanë humbur jetën dhe 3 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje mes një minibusi dhe një kamioni në provincën Henan.
Ngjarja ndodhi në një autostradë pranë qytetit Nanyang, ku sipas autoriteteve lokale, minibusi i përfshirë në aksident ishte i licencuar për transportin e vetëm 9 pasagjerëve, por në momentin e përplasjes po udhëtonte me 16 persona në bord.
Sipas policisë rrugore, mjeti u përplas me një kamion gjatë lëvizjes në autostradë, duke shkaktuar një bilanc tragjik viktimash dhe të plagosurish.
Autoritetet kineze kanë dërguar menjëherë ekipe emergjence dhe hetimi në vendngjarje, ndërsa po punojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit dhe rrethanat që çuan në mbingarkimin e mjetit.
Hetimet pritet të fokusohen si te shkeljet e rregullave të transportit, ashtu edhe te kushtet e sigurisë rrugore në momentin e përplasjes.









