Kurban Bajrami mbush Shqipërinë me besim e lutje/ Mijëra myslimanë falin namazin – Mesazhe paqeje, sakrifice dhe solidariteti në çdo qytet

Mijëra besimtarë myslimanë në të gjithë Shqipërinë kremtuan këtë të mërkurë festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, duke u mbledhur në sheshe, xhami dhe ambiente publike për faljen e namazit dhe përcjelljen e mesazheve të paqes, dashurisë dhe solidaritetit njerëzor.

Ceremonia kryesore u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku besimtarë të shumtë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit për të kryer ritin e faljes së Kurban Bajramit. Atmosfera u karakterizua nga qetësia, lutjet dhe urimet mes familjarëve e qytetarëve, ndërsa mesazhet kryesore të kësaj dite ishin ndihma ndaj njerëzve në nevojë, sakrifica dhe forcimi i harmonisë mes njerëzve.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi të gjithë besimtarët për festën, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe humane që mbart Kurban Bajrami.

“Ju uroj gëzuar Kurban Bajramin, ditën e solidaritetit dhe të ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Feja islame na mëson të jemi pranë njerëzve në nevojë, të largohemi nga e keqja dhe të punojmë për të mirën, për shoqërinë dhe për vendin tonë. Le të mbizotërojë paqja dhe mirëkuptimi mes njerëzve”, u shpreh ai.

Kurban Bajrami përkujton devotshmërinë dhe sakrificën e Profetit Ibrahim, i cili sipas traditës islame ishte i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij Ismail për t’iu bindur urdhrit të Zotit. Në momentin e flijimit, Zoti zëvendësoi Ismailin me një dash, duke e kthyer këtë akt në simbol të besimit, bindjes dhe sakrificës ndaj Krijuesit.

Atmosfera festive dhe lutjet e besimtarëve u shtrinë në të gjitha qytetet e vendit.

Në Elbasan, qindra besimtarë falën namazin në sheshin “Gensher”, ndërsa në Lezhë ceremonia u zhvillua në xhaminë e qytetit, ku Myftiu Sadetin Kotrri përcolli mesazhe paqeje, harmonie dhe dashurie mes njerëzve.

Edhe në Durrës, Korçë, Pogradec, Berat, Fier, Vlorë, Sarandë dhe Kukës besimtarët myslimanë u bashkuan në lutje për më shumë mirësi, shëndet dhe begati në familjet shqiptare.

Në Berat, qindra qytetarë mbushën pedonalen “Republika” për faljen e namazit, ndërsa myftiu i qytetit bëri thirrje për më shumë kujdes ndaj jetimëve dhe familjeve në nevojë.

Në Fier, Myftiu Mikele Hazizolli theksoi se Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, përkushtimit dhe afrimit me Zotin.

“Kurbani është përkushtim, sinqeritet dhe devotshmëri. Është dita kur njerëzit duhet të falin, të afrohen me njëri-tjetrin dhe të sjellin paqe në familje e shoqëri”, deklaroi ai.

Në Kukës, qindra qytetarë nga Kosova kaluan kufirin në Morinë për të festuar Kurban Bajramin me familjarët dhe për të kaluar disa ditë pushimi në Shqipëri. Fluksi i lartë i hyrjeve në pikën kufitare u shoqërua me atmosfera festive dhe urime mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Ndërkohë, në Sarandë falja e namazit u drejtua nga Banart Pajollari, pasi Myftiu Bledar Mullai ndodhet në Mekë për kryerjen e ritualit të Haxhit. Edhe aty u përcollën mesazhe vëllazërie, harmonie dhe respekti reciprok.

Pas ceremonive fetare, besimtarët vijuan traditën e therjes së kurbanit, vizitave familjare dhe ndarjes së mishit me njerëzit në nevojë, një ritual që simbolizon solidaritetin dhe ndihmën ndaj shtresave më të pamundura.

Kurban Bajrami mbetet një nga festat më domethënëse të botës islame, duke përcjellë çdo vit mesazhe sakrifice, humanizmi, paqeje dhe bashkimi mes njerëzve.